Numri i të infektuarve dhe i të vdekurve nga Covid-19 është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit në Mal të Zi. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka mbërritur tashmë në rreth 20 mijë vetë, duke e tejkaluar nivelin 3.2 për qind të popullsisë së Malit të Zi. Ndërsa numri i të vdekurve që nga fillimi i pandemisë ka arritur në rreth 350 persona. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, të martën është shënuar shifër rekord prej 767 të infekuarish brenda një dite, ndërsa numri i viktimave në të njejtën periudhë arriti në 12.
Situata më e rënduar paraqitet në Zhablak, Podgoricë, Cetinë, Ulqin, Budvë dhe Tivar. Në disa qytete, përfshirë Ulqinin, të hënën u hapën sërish shkollat dhe hotelet, të cilat kanë qenë të mbyllura për dy javë për shkak masave kufizuese të ndërmarra nga Trupi Koordinues Kombëtar për koronavirusin. Por fillimi i javës ka shënuar shifra të larta të të infektuarve në Ulqin.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se situata epidemiologjike në Mal të Zi është më e rëndë në krahasim me vendet tjera të rajonit. Parashikimet janë të zymta duke marrë parasysh faktin se vendi ndodhet në prag të fillimit të sezonit dimëror dhe gripit sezonal.
Ankthi mbi përkeqësimin e situatës u rrit edhe për shkak të tubimit masiv në ceremoninë e së dielës të varrimit të klerikut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfillohije Radoviç, ku u shkelën masat për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
voa