Studiuesit thonë se një vaksinë eksperimentale për Ebolën, ka rezultuar “jashtëzakonisht e efektshme” për parandalimin e sëmundjes vdekjeprurëse.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sot se vaksina ka qenë 100 për qind e efektshme në provat eksperimentale në Guine. Revista britanike mjekësore Lancet ka botuar rezultatet dhe analizat paraprake.
Vaksina e re “mund të jetë zgjidhja e duhur kundër Ebolës”sipas ministrit të jashtëm të Norvegjisë, një nga disa vendet e përfshira në fazën e eksperimentimit.
Epidemia e Ebolës që u përhap në vendet e Afrikës Perëndimore vitin e kaluar, shkaktoi vdekjen e mbi 11 mijë personave, shumica në Liberi, Guine dhe Sierra Leone. (voa)