Kjo është Java Botërore e Imunizimit dhe sot do të përqendrohemi tek një sëmundje që mund të çrrënjoset, sikurse lija e dhenve, apo siç ndodh me poliomelitin, në sajë të disa programeve ndërkombëtare. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, në vend që të zhdukjet, sëmundja vdekjeprurëse e fruthit kohët e fundit po njeh një rikthim.
Fruthi është një sëmundje që prek vetëm njerëzit, kështu që mund të fshihet tërësisht nga faqja e dheut ashtu sikurse lija.
Por, pavarësisht se ekziston një vaksinë shumë e efektshme dhe e sigurtë, kohët e fundit ka patur një rikthim të fruthit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, rastet e fruthit janë trefishuar krahasuar me vitin e kaluar.
Në Afrikë, situata është edhe më e rëndë Afrika pati një rritje prej 700 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
“Në Madagaskar ka patur pothuajse 1,000 vdekje dhe dhjetëra mijëra persona të infektuar” – thotë Dr. Anthony Fauci, i Institutit Kombëtar të Shëndetit.
Në Brooklyn të New York-ut, shpërthimi i fruthit në mesin e hebrenjve hasidikë e detyroi Kryetarin e Bashkisë të deklaronte gjendjen e jashtëzakonshme.
Instituti Kombëtar i Shëndetit paralajmëron se rënia e numrit të vaksinimeve për fruthin është duke shkaktuar një ringjallje globale të kësaj sëmundjeje shpesh vdekjeprurëse, përfshirë edhe SHBA, e cila është e parandalueshme.
Para se vaksina të bëhej e disponueshme në vitet 1960, në mbarë botën patën vdekur nga fruthi rreth dy milionë njerëz. Në Shtetet e Bashkuara, çdo vit infektoheshin nga fruthi tre deri në katër milionë njerëz.
“Një në dhjetë fëmijë që preken nga fruthi pësojnë infeksion të veshëve, që mund t’u shkaktojnë shurdhim. Një në njëzet vetë kalojnë pneumoni, një në një mijë vete pësojnë ënjtje të trurit, apo encefalit; një deri në tre për një mijë vetë që preken nga kjo sëmundje vdesin.Pra, të thuash se fruthi është një sëmundje e parëndësishme, nuk është aspak e saktë “, – thotë Dr. Fauci.
Komplikimet e sëmundjes janë edhe më të rënda në vendet e varfëra.
“Duke filluar me fëmijët, të cilët janë më të rrezikuarit; ata mund të jenë të kequshqyer, mund të kenë sistemin imunitar me probleme; mund të jenë nën peshë dhe mund të mos kenë qasje tek kujdesi shëndetësor, kështu që fruthi është një vrasës i madh” – thotë Dr. Walter Orenstein, i Qendrës së Vaksinave në Universitetin Emory.
Njerëzit kanë 90 për qind shanse të preken nga fruthi nëse nuk janë të vaksinuar dhe bien në kontakt me një person të infektuar.
“Është një sëmundje shumë infektive, që i prek të gjithë ata që nuk janë të mbrojtur”, thotë Dr. Rebecca Martin, e qendrës CDC.
Zgjidhja është që ata të marrin dy doza të vaksinës së fruthit. Kjo do të thotë që prindërit duhen edukuar lidhur me sëmundjen dhe rëndësinë e vaksinës.
Po aq e rëndësishme është që vaksinimi të jetë një përparësi e sistemeve shëndetësore në mbarë botën.
voa