Metodë e re ndërtimi me blloqe balte të presuara

tulla blloqe

Një metodë e re e ndërtimit të shtëpive me blloqe balte të presuara, që e ka origjinën nga lashtësia, ofron mbrojtje nga zjarri, tërmetet, erërat e forta dhe përmbytjet. Këto lloj shtëpish janë miqësore me mjedisin dhe u rezistojnë kohërave. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Shelley Schlender nga qyteti Superior në shtetin Kolorado, sekreti i kësaj metode ndërtimi janë tullat e qerpiçit të ngjeshura me presion të lartë dhe armatura e hekurt.

Shtëpi të reja po ndërtohen kudo në qytetin Superior të Kolorados. Dy vjet më parë zjarret e përhapura nga erërat e forta dogjën mbi 1000 shtëpi. Shumica e ndërtimeve të reja përdorin materiale të zakonshme që digjen. Por kjo shtëpi e re është ndërtuar me tulla qerpiçi të presuara që nuk digjen. Lisa Morey është inxhiniere ndërtimi.
“Një klient më telefonoi dhe më tha se donte një shtëpi që u reziston erërave dhe zjarreve”, thotë për Zërin e Amerikës inxhinierja e ndërtimit.
Zonja Morey është themeluese e kompanisë “Nova Terra” që prodhon blloqe dheu të presuara me përbërje rëre dhe argjile. Për efekt ngjitje, ata shtojnë gur gëlqeror të bluar. Kjo përzierje kalon përmes një makinerie presimi dhe në anën tjetër dalin blloqet e baltës të cilat stazhionohen në ajër për një muaj para se të përdoren në ndërtim.
Në një kantier afër qytetit Longmont, ndërtuesit lënë një hapësirë bosh mes rreshtave të blloqeve ku vihet një material izolues. Armatura e hekurt në mure e bën ndërtesën të qëndrueshme ndaj tërmeteve.
“Kjo shtëpi do të qëndrojë në këmbë për qindra apo mijëra vjet”, thotë inxhinierja Lisa Morey.
Në qytetin Superior, Matteo Rebeschini pronar i një shtëpie të re me tulla qerpiçi, thotë se nuk do të harrojë kurrë sesi era e fuqishme shkundi shtëpinë e tij të ndërtuar me skelet druri. Më pas ra zjarr dhe ai vrapoi për të shpëtuar. Ai thotë se shtëpia e me blloqe dheu i jep siguri dhe mbrojtje.
“Shtëpitë e ndërtuara sipas kësaj metode nuk do të lëkunden dhe nuk e ndjen erën që fryn përjashta sado e fortë të jetë”, thotë Matteo Rebeschini.
Kjo metodë e re ndërtimi është bazuar në modernizimin e tullave prej qerpiçi dhe faktit që ato nuk digjen.
voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>