Shkencëtarët thanë të hënën se kanë zbuluar në retë acide të planetit Afërditë një gaz të quajtur fosfinë, që tregon se në fqinjin aspak mikpritës të Tokës mund të ketë mikrobe.
Studiuesit nuk zbuluan forma aktuale të jetës, por vunë në dukje se në Tokë fosfina prodhohet nga bakterie që rriten në mjedise ku ka mungesë oksigjeni. Ekipi shkencor ndërkombëtar e zbuloi fosfinën duke përdorur teleskopin James Clerk Maxwell në Havai dhe e konfirmoi këtë me anë të radioteleskopit ALMA në Kili.
“U befasova shumë,” tha astronomja Jane Greaves e Universitetit të Kardifit në Uells, autore kryesore e studimit të botuar në revistën Nature Astronomy.
Ekzistenca e jetës jashtëtokësore ka qenë vazhdimisht njëra prej pyetjeve kryesore të shkencës. Shkencëtarët kanë përdorur sonda dhe teleskopë për të kërkuar “bioshenja” – shenja të tërthorta të ekzistencës së jetës në planete të tjera të sistemit tonë diellor dhe më gjerë.
“Me aq sa dimë për Afërditën, shpjegimi më i besueshëm për fosfinën, sado fantazor që mund të tingëllojë, është jeta”, tha astrofizikania e Institutit të Teknologjisë në Massachusetts dhe bashkëautore e studimit, Clara Sousa-Silva.
Fosfina – një atom fosfori me tre atome hidrogjeni – është shumë toksike për njerëzit. Teleskopët me bazë në tokë, si ata të përdorur në këtë hulumtim, ndihmojnë shkencëtarët të studiojnë përbërjen kimike dhe tiparet e tjera të objekteve qiellore.
Afërdita, me diametër prej rreth 12,000 km, është pak më e vogël se Toka. Ajo është planeti i dytë nga Dielli dhe fqinji më i afërt planetar i Tokës. Afërdita rrotullohet nga lindja në perëndim, ndryshe nga të gjithë planetët e tjerë në sistemin tonë diellor përveç Uranit.
Afërdita ka ditën më të gjatë se çdo planet tjetër i sistemit diellor. Ajo e kryen një rrotullim në 243 ditë të Tokës. Përveç Diellit dhe Hënës, Afërdita është objekti më i ndritshëm në qiellin e natës. Ajo e merr emrin (Venus) nga perëndesha romake e dashurisë dhe bukurisë.
Atmosfera e saj e trashë bllokon nxehtësinë, si në efektin serrë dhe kjo e bën planetin më të nxehtë të sistemit diellor. Temperaturat e sipërfaqes arrijnë në 471 gradë Celsius, aq sa mund të shkrijnë edhe plumbin.
Por, në nivelin ku qëndrojnë retë e saj me përbërje të fordë acide, rreth 50 km mbi sipërfaqe, temperaturat janë shumë më të buta. Atmosfera e planetit përbëhet kryesisht nga dioksidi i karbonit, ndërsa retë nga acidi sulfurik.
Shkencëtarët besojnë se Afërdita shumë kohë më parë mund të ketë patur kushte të favorshme për të lejuar evolucionin e organizmave të gjalla, edhe pse sipërfaqja e saj tani shihet si tërësisht e pajetueshme.
Megjithatë, retë e Afërditës mendohet se mund të jenë një mjedis i favorshëm për ekzistencën e mikrobeve.
voa