Robotët autonom që mund të bëjnë gërmime në Hënë dhe Mars

robotNjë kompani e re në Kaliforni, e quajtur OFFWORLD ka plane ambicioze që janë jashtë kësaj bote. Pronarët e kompanisë janë duke punuar në ndërtimin e robotëve autonom që do të jenë në gjendje të gërmojnë në Hënë dhe Mars. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Alexey Gorbachev sjell më shumë hollësi.

Ka kaluar shumë kohë, por është e sigurt të thuhet se epoka e turizmit në hapësirë do të bëhet realitet, të paktën për të pasurit.

Por një kompani nga Kalifornia tashmë po mendon për diçka tjetër. Kompania OFFWORLD po punon në ndërtimin e robotëve autonom që do të jenë në gjendje të bëjnë gërmime në Hënë dhe Mars.

“OFFWORLD po ndërton kolonitë e para në botë të robotëve inteligjentë. Këta robotë mendojnë dhe veprojnë vetë, marrin vendime dhe veprojnë së bashku, qindra prej tyre, për të zgjidhur probleme si gërmimet, ndërtimet, riparimet e infrastrukturës, shpimin e tuneleve dhe detyra të tjera komplekse industriale që normalisht i bëjnë njerëzit”, thotë James Keravala, bashkëthemelues i kompanisë OFFWORLD.

Themeluesit e kompanisë thonë se robotët e tyre do të jenë në gjendje të kryejnë detyrat që nuk u janë besuar kurrë më parë makinave.

“Sapo të kemi një mjet transporti të specializuar që do të jetë në gjendje të na dërgojë në një planet tjetër, vala e parë e udhëtarëve që do të fluturojnë atje nuk do të jenë njerëzit, por robotët. Ata do të përgatisin infrastrukturën dhe do ta mirëmbajnë atë në nivelin e duhur”, thotë Ilya Kuzovkin, arkitekt për trajnimin e makinerive në kompaninë OFFWORLD.

Shkencëtarët dhe inxhinierët e kompanisë OFFWORLD po e bazojnë punën e tyre në teknologjitë ekzistuese, ato të përdorura në minierat në tokë.

“Ky është një robot minierash i cili përdor ndjesorët për të thyer shkëmbinjtë. Roboti përdor mekanizma të ndryshëm për të kryer këtë punë. Një tjetër robot i mbledh gurët dhe dheun dhe i dërgon aty ku duhet”.

Ndërsa NASA përgatitet për ekspeditat e saj në hapësirë, synimi është që këta robotë të arrijnë atje të parët për të përgatitur terrenin.

“Robotët tanë do të përdoren për ndërtime industriale dhe përgatitje të zonave ku ne duam të zbresim në planete të ndryshme.”

Mjetet kryesore që do të përdorin robotët janë një daltë dhe një sharrë në formë disku. Shkencëtarët thonë se ata do të jenë në gjendje të presin gurët më të fortë, si graniti. Por rëndësia e tyre kryesore qëndron në aftësinë e tyre për të punuar në mënyrë autonome dhe për të mësuar. Kjo do të thotë që ata mund të programohen për të kryer detyra të caktuara, por gjithashtu mund të mësojnë bazuar në përvojën e tyre.

“Aftësia e makinerive për të mësuar veten na ofron një shans për ta lënë kompjuterin të eksplorojë mundësitë e ndryshme të veprimit, në vend që të programojmë robotin për të bërë gjëra të caktuara. Në këtë mënyrë, makina do të gjejë zgjidhje mes shumë alternativave të mundshme.”

Është e qartë se robotët në hapësirë do të jenë pjesë e së ardhmes dhe OFFWORLD thjesht mund të jetë kompania që e tjetërson të ardhmen në realitet.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>