Simulimi i misionit në Mars në shkretëtirën Negev

Mars simulimShkencëtarët e krahasojnë formacionin shkëmbor të kraterit Ramon në shkretëtirën Negev të Izraelit me sipërfaqen e planetit Mars. Krateri njihet për shkëmbinjtë me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë. Kohët e fundit, gjashtë astronautë nga e gjithë bota kaluan një muaj në thellësi të shkretëtirës duke simuluar një mision drejt Marsit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein vizitoi misionin e simuluar në kraterin Ramon, ku pati rastin të shohë nga afër përpjekjet dhe të bisedojë me astronautët.

Pas 30 ditësh të izoluar, gjashtë astronautë ndërkombëtar dolën nga stacioni i improvizuar hapësinor pa kostumet speciale. Ata sapo i dhanë fund një misioni të simuluar në Mars. Për këtë mision u zgjodh krateri Ramon me shretëtirën e ashpër që i ngjason sipërfaqes marsiane.

Astronautja gjermane Anika Mehlis tha për Zërin e Amerikës se pamjet nga brendësia e stacionit të improvizuar të jepnin përshtypjen e terrenit marsian.

“Kur zgjohesh në mëngjes dhe hedh vështrimin përtej dritareve të vogla, shikon këtë peisazh të kuqerremtë pa frymë njeriu. Nuk mund të dalësh jashtë pa kostum dhe komunikimi ka vonesa kohore. Ndjehesh i izoluar dhe larg çdo gjëje. Kur del përjashta stacionit me kostumin hapësinor dhe ndjen frymëmarrjen tënde, ndjesia bëhet reale. Kuptohet që nuk je në Mars por mund ta imagjinosh në mendjen tënde”, thotë ajo.

Misioni “Amadee-20” i sponsorizuar nga Forumi Austriak i Hapësirës dhe i organizuar nga Agjencia Izraelite e Hapësirës, përfshinte më shumë se 20 eksperimente shkencore.

Të veshur me kostume hapësinore që peshonin 50 kilogramë, astronautët praktikuan eksplorimin e terrenit. Por atyre iu desh që të merreshin edhe me detyra tokësore, siç është hidrauliku.

Komandanti i Misionit, Joao Lousada, tregon për Zërin e Amerikës disa nga problemet që hasën astronautët.

“Kishim disa probleme teknike si tualeti që na u desh ta rregullonim. Kemi të njëjtin tualet në Mars dhe duhet që t’i rregullosh vet të gjitha problemet që të dalin. Nuk është e lehtë të dërgosh në Mars një tualet rezervë”, thotë Joao Lousada

Drejtori i Forumit Austriak të Hapësirës, Gernot Groemer, vlerësoi punën e astronautëve dhe tha se ka lindur njeriu i parë që do të ecë në Mars.

“Për ata astronautë, kjo ndërtesë pas meje – stacioni më modern, më kompleks i simulimit të Marsit në këtë planet, do të jetë një nga hapat e tyre të parë në një udhëtim me anije që do të zhvillohet në të ardhmen”, thotë ai.

Sipas tij ky mision ka sjell më pranë realitetit përpjekjet e njeriut për të shkuar në Mars.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>