PRISHTINE-Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, nuk e ka ndërmend të ndalet. Sot në mesditë, ai ka dalë në një konferencë për shtyp, ku kërkoi r nga Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurtit, që të sqarojë, sipas Haxhiut, lidhjen e tij me serbët. Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, ia ka caktuar Albin Kurtit, 8 shkurtin si “afatin e fundit për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij”.
“Kurti ka afat deri më 8 shkurt, ora 24:00, që t’iu përgjigjet tri pyetjeve tona. Nëse nuk e bënë këtë, me 9 shkurt do të dalë publikisht dhe do t’i jap të gjitha faktet për këto që i thashë”, ka thënë Haxhiu.
Më pas, ai i ka përsëritur pyetjet për Kurtit, për të cilat kërkon përgjigje deri më 8 shkurt.
“E ka për detyrim moral ndaj opinionit që t’i përgjigjet pyetjeve. E para, Pse është takuar me serbët në Klinë në vitin 2004? Të tregojë se kush janë ata serbë me të cilët është takuar, a janë kosovarë apo të Serbisë dhe pse ka qenë i mbuluar me batanije kur është takuar me ata? E dyta ka të bëjë me gruan serbe me të cilën është takuar vazhdimisht në Pogradec si dhe është parë edhe në Prishtinë? E treta, duhet të tregojë se çka përmban letra të cilën e ka marrë me 28 shtator të 2011-ës nga vajza e ministrit të Milloshevicit”, iu është drejtuar për të dytën herë Haxhiu liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.
Haxhiu deklaroi se për të gjitha pyetje që i ka bërë Albin Kurtit, ka fakte dhe dëshmi si nga qytetarët po ashtu edhe nga zyrtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët siç tha ai e kanë falënderuar ata për demaskimin e fytyrës së vërtetë të Kurtit.
“Nëse zoti Kurti nuk dëshmon në Gjykatë, do të ballafaqohet edhe me dëshmitë dhe dëshmitarët. Vetëm pas prezantimit tim të këtyre fakteve, kam marrë mesazhe dhe thirrje edhe prej aktivistëve dhe zyrtarëve të Vetëvendosjes, të cilët më kanë falënderuar për demaskimin e fytyrës së vërtetë të Albin Kurtit. Ka mesazhe telefonike dhe me e-mail, të gjitha këto pas 9 shkurtit do t’ia prezantojë zotit Kurti”, tha ai.
Ndërkohë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë vendosur që të mos i komentojnë deklaratat e reja të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili edhe të dielën akuzoi Albin Kurtin për lidhje me Serbinë.
Arbnor Behari, zyrtar për shtypin në Lëvizjen Vetëvendosje, i pyetur nga Kosovapress rreth akuzave të bëra sot nga Haxhiu në adresë të kreut të Vetëvendosjes, tha se nuk kanë se s’ka çfarë të komentojë për këtë, pasi në qëndrimet e tyre, lidhur me deklaratat e Haxhiut, mbeten të njëjtat, ato që zyrtarë të kësaj partie, i kanë thënë të shtunën në një konferencë për 35.
Gjatë ditës së shtunë Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut (Kamishi), duke i quajtur ato si të pavërteta dhe të qëllimshme.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, i cili tani më është i njohur për “dialogun” me Kamishin, nuk ka hezituar ta quajë si organizatë ilegale dhe kriminale Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), të cilin ai e quajti edhe organ të PDK-së.
Krasniqi gjithashtu tha se për Lëvizjen Vetëvendosje, dhe për Kosovën në përgjithësi është shqetësues aktiviteti i dendur i SHIK-ut. Sipas Krasniqit, “Kosova është e rrezikuar nga bandat kriminale të SHIK-ut”.
“Përpjekjet e kësaj organizate kriminale që t’i sjellin një pjesë të madhe të anëtarëve të saj në parlamentin e Kosovës ka të bëjnë me faktin, se as një ish-SHIK nuk ka humbur në zgjedhje, tregon se sa e fortë është kjo organizatë kriminale. Për faktin që ata po bëjnë të pamundurën që në riformatizimin e ardhshëm të Qeverisë të bëhen pjesë e Qeverisë, tregon se kjo është metoda e KGB-së, ashtu sikurse Putini që erdhi në pushtet, duke qenë i pari i shërbimit informativ, të njëjtën gjë po tenton ta bëjë edhe Kadri Veseli, që të vijë i pari në pushtet përmes shërbimit të vet informativ. Kjo është e papranueshme për një shoqëri demokratike, kjo është e papranueshme për shoqërinë tanë kosovare”, ka thënë Krasniqi i Vetvendosjes.
(d.b/GazetaExpress/BalkanWeb)