Janë zhdukur nga Arkivi i Shtetit dorrëshkrimet origjinale të ditareve politikë e familjarë të Enver Hoxhës”.Kështu ka deklaruar bashkëshortja e tij Nexhmije Hoxha mes një komunikate për shtyp. Sipas saj, familja e Enverit do të bëj denoncimin në prokurori për zbardhjen e ngjarjes, që sipas familjes është shumë e rëndë. Në deklaratën e Nexhmije Hoxhës thuhet se ka qenë pikërisht një shkresë nga drejtoria e Arkivit, ajo që ka bërë fakt të kryer zhdukjen e ditareve të tij. Ndërkaq ne po botojmë të plotë deklaratën e bashkëshortes së Enver Hoxhës.
Deklarata
Me anë të kësaj deklarate, vë në dijeni 35n dhe opinionin publik të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, kudo ndodhen se:
Në Arkivin e Shtetit të Republikës së Shqipërisë janë zhdukur dorëshkrimet origjinale të Ditareve politike e familjare të Enver Hoxhës, si dhe dorëshkrimet origjinale të Kujtimeve të tij.
Kur ka ngjarë ky akt kriminal i pashembullt, ne nuk e dimë.
Ky fakt u konstatua vetëm kohët e fundit, kur familja e shqetësuar që në disa emisione televizive e në shtyp, po flitej e shkruhej nga ndonjë publicist se dispononte dokumente nga arkivi personal i Enver Hoxhës, dërgoi në AQSH pjesëtaren e saj, Teuta Hoxha, që kërkoi në Fondet e Dosjet përkatëse ku rezultoi se mungonin dorëshkrimet origjinale.
Ky konstatim iu bë me dije Drejtores së Arkivit të Shtetit, e cila pasi bëri verifikimet e saja, na komunikoi zyrtarisht me shkresat Nr. 5336/1 më datë 14-12-2011 dhe Nr.3112/11 më datë 27-12-2011 për mos ekzistencën e këtyre materialeve në Fondet e këtij Arkivi.
Kjo zhdukje, vjedhje a përvetësim qoftë, flet për një gjendje jo normale në Arkivin e Shtetit. Eshtë një shkelje flagrante e ligjeve që përcaktojnë funksionimin rigoroz të Arkivit të Shtetit, ku theksohet qartë: ( Neni 63.)
“Arkivat mbrojnë jetën intime të personit. Ndalohet njohja, shfrytëzimi dhe publikimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cënojnë jetën private të personit. Dokumentet që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cënojnë jetën intime të personit, shërbehen vetëm pasi kanë kaluar, sipas rastit, 50 deri në 150 vjet nga data e krijimit të tyre.”
Përmbajtja e këtij neni është në përputhje me parimin bazë të njohur në gjithë ligjet e shteteve të përparuara mbi arkivat, ku këto trajtohen si tempuj, ku ruhet e mbrohet dokumentimi i historisë së një vendi, të një shteti a personaliteti të shquar, qoftë politik, shoqëror a kulturor.
Enver Hoxha, Ditaret e tij i dorëzonte, vit pas viti, në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, me anë të sekretarit të tij personal, Haxhi Kroi. Ne, si familje, kemi në dispozicion kopjet e këtyre Ditareve.
Arkivi i KQ të PPSH kaloi tërësisht në Arkivin e Shtetit pas ndryshimit të sistemit monist me atë pluralist, menjëherë kur PPSH u transformua në Parti Socialiste. Përveç sa u parashtrua më sipër lidhur me zhdukjen e dorëshkrimeve origjinale të Ditareve e shumë shkrimeve të tjera, shohim që nga ndonjë stacion televiziv, transmetohen fragmente filmash dokumentarë nga jeta private e Enver Hoxhës, pa marrë leje nga familja, siç kërkohet në ligjin përkatës për këtë lloj dokumentarësh. Nuk është fjala aspak për dokumentarë që i përkasin jetës zyrtare, politike e shoqërore të Enver Hoxhës.
Para këtyre shkeljeve të ligjeve, me humbje tejet të rënda për mua si bashkëshorte si dhe për fëmijët tanë, rrjedhimisht trashëgimtarë të këtyre dokumenteve të Enverit,unë menjëherë pas këtij njoftimi publik, do t’i drejtohem institucionit përkatës shtetëror, Prokurorisë së Përgjithshme të bëjë punën e saj, të hetojë e të zbulojë çfarë lëshimesh janë bërë nga drejtuesit e AQSH dhe të vihet gisht mbi përgjegjësit, kushdo qofshin këta, direkt a indirekt, të brendshëm e jo më pak të jashtëm, të vjetër apo të rinj.
Denoncimi i këtyre shkeljeve në Prokurorinë e Përgjithshme, do të bëhet nga djali ynë i madh, Ilir Hoxha.
Familja, për këtë humbje të madhe, do të njoftoj edhe Qendrën Ndërkombëtare të Arkivave, anëtare e së cilës është edhe AQSH.
Zbulimi i këtij akti të shëmtuar, tepër i dhimbshëm për familjen tonë, duhet trajtuar jo si një ngjarje e rastit që, lidhet vetëm me një person, kundër të cilit, gjatë këtyre 20 vjetëve të demokracisë, është hedhur një mal me baltë dhe janë kurdisur shpifje e falsifikime të paimagjinueshme.
Akti i zhdukjes së dorëshkrimeve origjinale të Enver Hoxhës, nga Arkivi i Shtetit duhet parë si pjesë e strategjisë antikombëtare e antihistorike të pushtetarëve demokratë, për asgjesimin e çdo gjëje që i përket së kaluarës 50 vjeçare, përfshi Luftën e lavdishme për çlirimin e Atdheut dhe, pas saj, për ndërtimin e një Shqipërie të re, të Pavarur, Sovrane dhe me një shoqëri të emancipuar.
Në këtë vit të 100 vjetorit të Pavarësisë e krijimit të Shtetit shqiptar, Qeveria e Sali Berishës dhe forcat që e mbështesin atë, janë në dilemë të madhe, si të mënjanojnë këtë periudhë historike gjysmë shekullore.
Këta njerëz, për të mbajtur fort majat e pushtetit që kanë kapur, bëjnë marrëzira, por sidomos bëhen të rrezikshëm, jo vetëm për një rast të veçantë a persona të caktuar, ata bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm për t’ardhmen e Shqipërisë e të Kombit shqiptar.