Nga Fritz RADOVANI:
Ndoshta, ishte nder rastet e rralla që Populli i Shkodres shihte At Gjergj Fishten, me “përkrenarën” e Françeskanit Shqiptar… Sa kjé gjallë nuk pat nevojë per té!
Askujt nuk i shkonte mendja në Botë se Frati i Gjuhadolit të Shkodres, që pat vue Flamurin e Gjergj Kastriotit në kompanjelin e Kishës me 13 Qershor 1913…Bash me 30 Dhjetor 1940, do të armatosej dhe mbasi vuni edhe “përkrenarën”… do të fillonte atë betejë aq të rrebtë, sa nder pak vende të Botës ka ngja me kenë ndeshja e një Kolosi, që luften e bani me “shpatën” e pakrahasueshme të veten “Hylli i Dritës”… E mbas fitoreve të pasosuna të veta, ulej pranë një blini n’oborr… e këndonte në “Lahutë të Malcis”…
Një Europë “mrrutë”… pat kenë shtangue prej zanit Tij…
E kur e pau me “përkrenare”… nuk iu dha me besue se At Gjergji…u tha: “Paqë”!
Mejtën armët e të gjithë atyne që mateshin me Tarabosh…Ajo “përkrenare” ua nxori kllapinë e sa shekujve perpara, kur nga të kater anët barbarët donin me shue me kenë e mujtun edhe Kështjellat që vazhdonin me i pa nder andrra të hoteleve ma luksoze të kryeqyteteve Europjane…pikrisht, atëherë, kur Gjaku i Shqiptarëve pat ngallnjye!
Dy duer të Shugurueme ngjeshë per parzëm, askujt nuk iu besonte se ishin lidhë per mos me prekë ma me dorë as “heshten” e Tij, me të cilen nuk la anmik pa gjuejtë e rrëzue nder lamije e bregore të lumejve që gjarpnonin nder male e fushat tona!
Heshta e Tij nuk la tradhëtar pa rrëzue perdhé, besa dhe mbasi nuk e perdori ma!
Fëtyra e pashme e gjithmonë e qeshun dukej, sikur ra nder mendime. A thue parandjente doren e hasmit që me thikë i ndej mbas shpine? – Nuk besoj! E cila, nga veprat e Tij nuk ishte kunorë lavdije per Alpet tona e deri poshtë kah Tepelena ynë?
Deri vonë fëmijët e Manastirit, Atij Prijsit Madh mbi kalë, mbasi dielli u zhytej nder strofullat e ujqëve, rrinin tue rravizue mbi dheun e robnuem shkrojlat e Gjergjit…
E bash në Prillin e bukur të Dedë Gjo’ Lulit, Hotnjanët ia thonin Lahutës edhe dy fjalë para se me mbyllë portaret e veta… Edhe pse qejt’ e vazhdonin ulurimen e tyne.
Në pragun e një stuhije të pashoqe që filloi me perkulë edhe kompanjelat, e kur gurtë e tyne filluen me luejtë vendit, një dhimbje ia “këputi Shpirtin”…E Toka, u ça!
Kur të gjithë Shkodranët pritnin me shperthye një ujë i zi si futa që po mbulonte Rozafen, Taraboshin e deri nalt nder Bjeshkët e Nêmuna, veçse, u ndigjue prap një za i mekun që merrte me vete edhe ushtimen e Përkrenarës:
“E n’kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Që flijë t’ bahet ndo’i Shqiptar n’ therore,
Qé, mue tèk m’ keni, merrni e m’ bani flij
Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë,
E nami i saj përjetë u trashigoftë!…”
***
Kush ishte Ky flij’ i Meshtarisë ?!..
Ky ishte Frati i Sapës së Shqipnisë…
Ky ishte Frati i Flamurit të Lirisë…
Ky ishte Frati i Shkodres së zharitun…
Ky ishte Frati i Kryqit t’ skalitun…
Ky ishte Frati i Derës plot Dashni…
Ky ishte Frati që bekoi çdo shtëpi…
Ky ishte Frati i pajtimit gjaqeve…
Ky ishte Frati i pafundsisë oxhaqeve…
Ky ishte Frati që s’ njohu kurr frikë…
Ky ishte Frati i “Hyllit” plot Dritë…
Ky ishte Frati që s’ iu tremb as shkaut…
Ky ishte Frati i Bukës së Shna Ndout…
Ky ishte Frati i “Lahutës së Malcis”…
Ky ishte Frati i shpatës ‘e i trimnisë…
Ky ishte Frati që i tregoi Parisit…
Ky ishte Frati që daltoi në trung të lisit…
Ky ishte Frati edhe i pikturës…
Ky ishte Frati i arkitekturës…
Ky ishte Frati i kullave të barotit…
Ky ishte Frati i Burrave të Hotit…
Ky ishte Frati i Plav’s e Gucisë…
Ky ishte Frati edhe i Dardanisë…
Ky ishte Frati i lotëve t’ Çamrisë…
Ky ishte Frati i Vorio Epirit…
Ky ishte Frati edhe i Manastirit…
Ky ishte Frati i shpellave t’ Malsisë…
Ky ishte Frati Flam’rit Pavarsisë…
Ky ishte Frati edhe i kangve t’ motit…
Ky ishte Frati i Trojeve t’ Kastriotit…
Ky ishte Frati i një Abetares…
Ky ishte Frati edhe i Përkrenarës…
(Fragment nga dorshkrimi F.R, “Arkivi i Harresës” 2013).
Melbourne, Dhjetor 2013.