Zbulimi i SHBA: Virusi nuk është krijuar në një laborator kinez

test covid19Agjencitë amerikane të inteligjencës po hedhin poshtë të paktën një teori në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke thënë se provat tregojnë se virusi nuk është krijuar në një laborator kinez.

Por zyrtarët thonë se ata ende po shqyrtojnë nëse shpërthimi, i cili filloi në Kinë, u shkaktua nga kontakti njerëzor me kafshët apo nëse u përhap si rezultat i ndonjë aksidenti shkencor.

Komuniteti amerikan i inteligjencës “pajtohet me konsensusin e gjerë shkencor që virusi COVID-19 nuk është prodhuar nga njeriu dhe as është diçka e modifikuar gjenetikisht,” tha të enjten zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në një deklaratë publike, diçka e rrallë kjo kur është fjala për një çështje që vazhdon të hetohet.

“Siç bëjmë në të gjitha krizat, ekspertët e komunitetit të inteligjencës veprojnë duke rritur ndjeshëm burimet dhe duke nxjerrë të dhëna me rëndësi kritike mbi çështje jetike për sigurinë kombëtare të SHBA,” thuhet në deklaratë.

“Komuniteti i inteligjencës do të vazhdojë të shqyrtojë me rreptësi informacionin dhe të dhënat në zhvillim për të përcaktuar nëse shpërthimi filloi përmes kontaktit me kafshë të infektuara apo nëse ishte rezultat i një aksidenti në një laborator të Wuhanit,” thuhet aty.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një hetim më të plotë mbi origjinën e COVID-19. Presidenti Donald Trump ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi deklaratat e bëra nga Kina dhe nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Të mërkurën, Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai kishte parë disa prej gjetjeve në hetimin e bërë nga komuniteti i inteligjencës.

“Hetimi është duke ardhur dhe mua po më sjellin pjesë të tij. Ne nuk jemi aspak të kënaqur… Jemi deri tani kontribuesi më i madh i OBSH-së, i shëndetit botëror dhe ata nuk na treguan të vërtetën,” tha ai.

“Tani për tani, ata me plot gojën një zëdhënës i Kinës. Kështu e shoh unë,” shtoi zoti Trump.

Edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo vuri në dyshim transparencën e Kinës, dhe la të kuptohet se Pekini mund të jetë duke vazhduar ta vërë botën në rrezik.

“Ne nuk e dimë saktësisht se nga lindi ky virus. Ka shumë laboratorë që po vazhdojnë të kryejnë punë,” tha ai. “Ne nuk e dimë nëse ata po veprojnë në nivelet e duhura të sigurisë për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri.”

Thëniet se virusi COVID-19 është krijuar në një laborator kinez, ose ka shpëtuar nga një laborator, vazhdojnë prej javësh. Po ashtu edhe teoritë e tjera, shumë prej të cilave janë diskredituar si thashetheme ose si pjesë e fushatave dezinformuese.

Por deklarata e së enjtes nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tregon me sa duket se zyrtarët amerikanë të inteligjencës kanë arritur ta kuptojnë më mirë origjinën e pandemisë.

Dy javë më parë, një zyrtar amerikan i inteligjencës i tha Zërit të Amerikës se agjencitë ishin “duke ndjekur në mënyrë aktive dhe të fuqishme çdo informacion”, por komuniteti i inteligjencës “nuk kishte arritur në një mendim të vetëm për ndonjë teori të caktuar.”

voa

Gjermania lehtëson rregullat për Coronën

MerkelEdhe pse në Gjermani po lehtësohen rregullat kancelarja Merkel paralajmëroi që askush nuk duhet të flejë në dafina dhe të kujtojë se tani gjendja është e sigurt.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord për lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve për pandeminë e koronavirusit. Pas diskutimeve Merkel tha në Berlin se sheshet e lojërave për fëmijë dhe institucione si muze, vende përkujtimore, kopshte zoologjike dhe kopshte botanike mund të rihapen nëse plotësojnë kushtet e sigurisë për pandeminë e koronavirusit.

Komunitetet fetare kanë propozuar edhe kushte nën të cilat mund të rifillojnë edhe shërbesat fetare në mbarë vendin. Përveç rregullave të higjienës dhe të distancës, koncepti përfshin edhe rekomandimin për të mos kënduar dhe përdorur instrumente frymore. Mendohet se si ata që këndojnë edhe ata që u bien instrumenteve frymore lëshojnë më shumë spërkla infektive.

Hap i ndërmjetëm

Merkel tha se diskutimet e deritanishme mes qeverisë federale dhe landeve janë “një hap i ndërmjetëm”. Më 6 maj do të zhvillohet një takim tjetër ku do të merren në shqyrtim pasojat e pas lejes për hapjen e dyqaneve 14 ditë më parë, tha Merkel. Kancelarja theksoi se qëllimi kryesor është që të ngadalësohet përhapja e virusit në mënyrë që sistemi shëndetësor të mund të përballojë numrin e njerëzve që mund të preken rëndë nga sëmundja.

Në rast shtimi të infeksioneve sërish kufizime

Nëse kurba e infeksioneve do të rritet përsëri me shpejtësi, ne duhet të jemi gati për të reaguar, tha Merkel dhe paralajmëroi që askush nuk duhet të kujtojë se tani gjendja është e sigurt. Në vendim e qeverisë gjermane thuhet se në rast se do të ketë “dinamika rajonale me numër të madh infeksionesh të reja institucionet duhet të reagojnë menjëherë. Kjo do të thotë edhe që do të rihyjnë në fuqi kufizimet e para 20 prillit, pra përpara se të hapeshin dyqanet.”

Shkollat, kopshtet, çerdhet

Kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Söder, tha se me lehtësimet e planifikuara, Gjermania po bën një hap drejt normalitetit – por të një normaliteti me virusin Corona. Sipas tij “Padyshim që këtë vit nuk do të jetë më një vit normal shkollor.”

Takimi i 6 majit do të përqendrohet posaçërisht në konceptet për hapjen graduale të shkollave, kopshteve apo dhe ambienteve sportive. Hapja e sektorëve të tjerë si gastronomia dhe turizmi do të diskutohen në takimet vijuese. Kurse tema e pushimeve verore nuk është ende në rendin e ditës për shkak se në disa vende evropiane vazhdojnë të jenë në “mbyllje totale”

dw

Prodhuesit britanikë përgatiten për prodhim në masë të vaksinës kundër koronavirusit

laboratori Një prodhues britanik që pritet të marrë përsipër prodhimin e vaksinës që po zhvillojnë shkencëtarët britanikë kundër koronavirusit thotë se brenda muajit maj shpreson të konfirmojë nëse mund të prodhojë një milion doza vaksine në muaj.

Ideja është që të krijohen rezerva të mjaftueshme të vaksinës që të jenë gati për përdorim sapo të jepet miratimi nga autoritetet.

Cobra Biologics është një ndër firmat që mund të marrin autorizimin për të prodhuar vaksinën ChAdOx1 nCoV-19 që po zhvillojnë shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit.

voa