Kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski publikoi dëshmi të reja për falsifikimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor në Komunën Qendër dhe përsëritjen e zgjedhjeve në 3 raunde. Në disa nga bisedat e publikuara, sipas Zhernovskit dëshmohen presionet ndaj administratorëve, sjelljen e votuesve të Pustecit, shpalljen e një numri të madh fletëvotimesh të pavlefshme dhe parregullsi të tjera në procesin zgjedhor. Megjithatë, sipas Zhernovskit, me përfundimin e zgjedhjeve nuk kanë përfunduar punët e paligjshme të partisë në pushtet. Ai publikoi një bisedë telefonike mes Drejtorit për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov me ministrin Mile Janakievski, duke planifikuar ofrimin e ryshfetit prej 200 mijë eurove për njërin nga këshilltarët e opozitës në Komunën Qendër, nëse ai pajtohet që të kalojë në radhët e VMRO DPMNE-së.
Në një bisedë tjetër telefonike të Mijallkovit me kryeredaktorin e televizionit Sitell Dragan Pavlloviq Llatas, shefi i DSK-së thotë se ka 3-4 këshilltarë opozitarë në Komunën Qendër, për të cilët shpreson se mund ti bind t’ia kthejnë shpinën Zhernovskit dhe ti bashkëngjiten VMRO DPMNE-së.
Në një nga bisedat e publikuara, kryeministri Gruevski kërkon nga Janakievski të dorëzojnë sa më shumë ankesa në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, me qëllim që të fitojnë kohë për të pastruar gjurmët në Komunën Qendër. Edhe një nga njerëzit e VMRO DPMNE-së, gjatë bisedës me ministren e brendshme Jankullovska, e thotë qartë se të punësuarit në Komunën Qendër kanë pastruar materialet nga kompjuterët e Komunës.
Zhernovski nuk u përgjigj nëse opozita posedon telefonata edhe për rastin Mirosllav Shipoviq. Përkujtojmë se Shipoviq u arrestua për aferën “Mashinopromet” derisa ishte kryesues i këshillit të Komunës Qendër, ndërsa pas lirimit lejoi që VMRO DPMNE-ja të miratojë disa projekte në Këshillin komunal, për ndërtime të reja në malin Vodno. Benjamin Arifi