Gazeta „Frankfurter Allgemine Zeitung“ (FAZ) në një nga numrat e fundit të saj boton artikullin me titull „Kosova po mbetet pa dritë“, ku analizon situatën ekonomike dhe problemet e mjedisit në këtë vend.Një ndër shqetësimet që ngre autori është problemi i ndotjes së mjedisit në Kosovë dhe si shkak kryesor për këtë përmenden termocentralet e vjketëruara Kosova A dhe Kosova B.
Të dy këto termocentrale problematike, që ndërkohë e kanë tejkaluar periudhën e amortizimit, sipas analistit të FAZ paraqesin rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve të Kosovës. „Emetimi i grimcave të pluhurit, i dioksidit të karbonit dhe azotit pavarësisht masave mbrojtëse ndaj mjedisit i tejkalojnë dyfish normat europiane. Gjithashtu ndërprerja e vazhdueshme e energjise elektrike e bën të pamundur jetesën në Kosovë, një nga arsyet kjo përse shumë kosovarë vendosin të emigrojnë. Ndër shkaqet e largimeve masive së fundi nga Kosova në radhë të parë është prapambetja ekonomike, por edhe gjendja emergjente e furnizimit me energji është shkak për këtë situatë. Jan- Peter Olters, drejtor lokal i Bankës Botërore, e shpjegon samë poshtë situatën e pashpresë në Kosovë: mungesa e investimeve do të thotë mungesë e vendeve të punës, mungesë perspektive dhe emigracion – pra ky është një rreth vicioz.”
Më tej FAZ shkruan: Ndonëse sipërmarraja gjermane e centraleve energjetike Bilfinger Solutions po planifikon një remont kapital të termocentraleve „Kosova A“ dhe „Kosova B“, këto plane deri tani kanë hasur në rezistencën e qeverisë. Ndërkohë BE-ja po ushtron presion ndaj Kosovës dhe kërkon që deri në vitin 2017 të mbyllet për asye të mjedisit termocentrali Kosova A. Por edhe sikur sipërmarrësi i ndërtimeve dhe autoritetet të bien dakord brenda këtij viti, impiantet e reja për përftimin e energjisë në të ardhmen në Kosovë do të mund të vihen në përdorim vetëm në vitin 2012.
„Si do të mund t’i furnizojë ky vend deri atëherë qytetarët me energji dhe ujë të ngrohtë? Një zgjidhje është importimi, për të cilin Kosova, sipas kryesisë së Entit Regullator të Energjisë në Prishtinë, nuk është në gjendje ta përballojë financiarisht mbulimin në tërësi të nevojave për energji prej ofruesve të huaj.
Shqipëria fqinjë konsiderohet si një burim me përparësi i furnizimit me energji, përmes hidrocentraleve të saj, që në pjesën më të madhe i mbulon nevojat e veta për energji dhe furnizon edhe Kosovën. Kësisoj Kosova, mund t’i mbulojë nevojat e veta për energji përmes rrjetit të tensionit të lartë nga Shqipëri si dhe prej termocentraleve të veta“, shkruhet ndër të tjera në artikullin e Frankfurter Allgemeine Zeitung (09.03.2015).