Durimi i opozitës zgjati deri kur përfunduan fjalën disa nga ministrat e kabinetit qeveritar që raportuan mbi reformat e ndërmarra në tryezën e takimit të tetë parlamentar Shqipëri– BE, një format i bashkëdrejtuar nga eurodeputetja rumune Monica Macovei dhe Taulant Balla nga pala shqiptare. Si një takim mes deputetëve të Parlamentit Europian dhe atyre shqiptarë opozita e denoncoi si të paprecedente praninë dhe deklarimet e ministrave në të, denoncim i bërë fillimisht në shqip, ndërsa tonet e larta të opozitës me përfaqësuesin e Parlamentit Europian u përcollën në anglisht, duke thyer edhe mitin se në këtë gjuhë shqiptarët dinë të merren vesh më mirë.
“Për herë të parë vendoset një format i ri. Nuk mund të na imponosh një formulë që nuk është ndjekur kurrë në 10 vitet e fundit. Kjo është qesharake! Mazhoranca po pyet ministrat e saj. Demokraci është kjo?! Unë jam opozita, opozita merr vendimet e saj dhe unë dua kohën time për të folur. Nuk mund të më imponosh një axhendë”, iu drejtua deputeti demokrat, Aldo Bumçi eurodeputetes rumune, Monika Macovei.
Nga ana e saj, Macovei ftoi opozitën që të bënte pyetjet e saj,por opozita nuk pati asnjë pyetje për prioritetet kyçe që ka si synim ky takim dhe këmbënguli në kërkesën e saj për të diskutuar.
Ben Blushi deputeti i PS: Besoj që është një luks i madh që opozita nuk ka pyetje dhe meqë opozita nuk ka pyetje, ja vlen ta shfrytëzojmë këtë boshllëk.
Majlinda Bregu, deputete e PD: Po vras mendjen se si t’i japim kuptim këtij debati këtu, një pyetje do të kisha se përse deputetët e PS, nuk gjejnë kohë t’i bëjnë pyetje ministrave të tyre kur jeni bashkë, por gjeni kohën këtu për të bërë shoë?!
I gjithë takimi i tensionuar mes palëve në prani të europarlamentarëve u bë në konteksin e qendrimit zyrtar të Tiranës për dëshirën e hapjes së bisedimeve për anëtarësim.
Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm: Ne kemi shprehur dëshirën për të diskutuar me Komisionin për një kornizë kohore dhe një koreografi të veprimeve që do ta na çojnë drejt një rekomandimi për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, pasi për ne negociatat janë më shumë se një instrument. Nuk janë thjeshtë një etapë e procesit, por vetë procesi që garanton reformat transformuese.
Majlinda Bregu, deputete e PD: Këtu jam dakort me Ministrin e Jashtëm. Nuk është vetëm çështje gërmash, duhet një koreagrafi, ju e quani koreagrafi, unë e quaj frymë dhe vullnet politik për të zbatuar reformat.
Largimi i ministrave nga salla nuk ishte kushti i rikthimit të një diskutimi të qetë. Opozita sërish me zërin e Aldo Bumçit kundërshtoi edhe zhvillimin me dyer të mbyllura të diskutimeve.
Rikthimi i medias u pasua me deklarimin e pritshëm të opozitës, nevojën e dekriminalizimit.
Gjosha, Tahiri e Naço informojnë për reformat
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha informoi përfaqësuesit e delegacionit të PE-së me reformat kryesore të ndërmarra nga qeveria dhe reformat e parashikuara në të ardhmen. Ajo tha se janë shtuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që është rritur edhe bashkëpunimi me vendet e BE-së dhe me Europol-n në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme.
Pas Gjoshës fjalën e mori Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai njohu eurodeputetët me reformat e ndërmarra nga qeveria në Policinë e Shtetit përgjatë vitit 2014.
“Gjatë 2014 për t’i dalë përballë sfidës mesatare të policisë qeveria ndërmori hapin për shtimin e numrit të policëve të rinj dhe rekrutimin e të rinjve me konkurse të hapura. Për t’i paraprirë mungesës së arsimimit në radhët e policisë, Akademia e Policisë u shndërrua në një institucion i arsimit të lartë për të përgatitur hetues të mirëfilltë dhe të përgatitur profesionalisht. Miratuam një paketë mbështetje buxhetore për policinë, duke filluar që nga rritja e rrogave, sigurimin, pensionet dhe investimet themelore në infrastrukturë dhe teknologji. Kemi mbyllur reformën më të plotë ligjore në fushën e sigurisë”, tha Tahiri.
Tahiri u ndal edhe tek Byroja Kombëtare e Hetimit dhe kompetencat e saj. Ai tha se detyra e kësaj Byroje do të jetë hetimi në sektorë të veçantë në mënyrë specifike, përfshirë këtu edhe krimin pasuror.
Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço vuri theksin te reforma në drejtësi.
“Në Tetor Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë organizuan konferencën për reformën në drejtësi, që ka një mbështetje nga të gjitha kahet e politikës. Po në tetor u zhvillua tryeza me ekspertët në fushën e drejtësisë, po ashtu edhe në nëntor misionet e huaja shprehën nevojën për reformimin e drejtësisë, që nga Gjykata e Lartë, mënyra e emërimit të gjyqtarëve dhe të tjera. Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe në Dhjetor 2014 Kuvendi miratoi për këtë një Komision të Posaçëm për reformën në sistemin gjyqësor”, deklaroi Naço.
/ Top Channel