Alergjitë nga kikirikët

Për vite me radhë prindërit janë përpjekur me të gjitha mënyrat për të shmangur kikirikët nga dieta e fëmijëve, me shpresën se ata nuk do të shfaqnin alergji prej kikirikëve në moshë të rritur. Një studim i ri ka arritur në rezultatin se duhet bërë e kundërta, pasi shmangia e plotë e alergjentëve të kikirikëve nga dieta e fëmijëve të vegjël e bën organizmin më të dobët dhe rrit shanset e alergjisë në moshë të rritur.Kur dy vëllezërit Dogherty zgjedhin diçka për të ngrënë, 10-vjeçari Garrett mendohet mirë. Ai ka alergji nga kikirikët dhe çdo gjë e sheh me atë sy:

“Kjo ka kikirikë, kjo tjetra ka fara luledielli por është pjekur me vaj kikiriku. Nuk e di a mund ta ha. Kjo tjetra është me bajame”.

Nëna e tij, Dana shpjegon çfarë ndodh kur ai ha diçka me kikirikë:

“I zihet fryma nëse ha apo thjesht është në kontakt me diçka që përmban kikirikë. I gjithë organizmi i tij pushon së funksionuari dhe i mbyllen rrugët e frymëmarrjes”.

Është një shqetësim i vazhdueshëm për prindërit e fëmijëve me alergji nga kikirikët, të cilët në çdo moment mund të jenë në rrezik jete.

Tani një studim i ri ka ngritur hipotezën se duke prezantuar kikirikët në dietën e fëmijëve pa mbushur një vjeç, ata zhvillojnë imunitet ndaj përbërësit që shkakton reaksion.

Dr. Rebecca Gruchalla, specialiste për alergjitë në Universitetin e Teksasit në Dallas, shpjegon:

“Kur tek fëmijët që janë në rrezik të shfaqin alergji nga kikirikët, pasi që në moshë foshnjore kanë alergji nga veza, apo kanë ekzemë të theksuar, fillojmë një dietë me përmbajtje kikiriku nga mosha 4-11 muaj, shanset e tyre për të shfaqur alergji nga kikiriku në moshë të rritur janë shumë më të ulëta”.

Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive në Shtetet e Bashkuara i cilësoi si “rezultate të papara” përfundimet e këtij studimi dhe shtoi se ato kanë potencialin të ndryshojnë metodologjinë në parandalimin e alergjive nga ushqimi.

Studiuesit e shoqëruan njoftimin me një paralajmërim të rëndësishëm: të gjitha foshnjat e përfshira në këtë studim u kontrolluan me kujdes për të garantuar që nuk kishin alergji nga kikirikët. Foshnjave iu bë një analizë në lëkurë dhe vetëm kur rezultatet dolën negative, u ekspozuan ndaj dietës me përmbajtje kikirikësh.

Studiuesit paralajmërojnë prindërit, sidomos nëse ata vetë kanë alergji nga kikirikët, t’u bëjnë fëmijëve analiza për të vërtetuar se fëmija nuk do të ketë reaksion nga kikirikët, para se të fillojnë dietën.

Studimi përmbys një bindje që ka ekzistuar prej vitesh tek prindërit, por edhe tek personeli mjekësor. Deri tani mendohej se fëmijët e vegjël nuk duhet të konsumonin produkte ushqimore me përmbajtje kikiriku në moshë të vogël, me bindjen se ishte më mirë që fëmija të fillonte të hante kikirikë në moshë më të rritur, kur ishte zhvilluar sistemi imuntar.

Nga studimi i ri rezulton se sistemi i imunitetit mund të modifikohet me prezantimin e hershëm të produkteve që shkaktojnë alergji, duke e ndihmuar organizmin t’u përshtatet dhe t’u rezistojë këtyre produkteve.

Dy për qind e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga alergji ushqimore, në disa raste në nivele kërcënuese për jetën. Ende nuk ka një metodë për të kapërcyer alergjitë nga kikiriku, i cili shkakton një ndër reaksionet më të rënda tek njeriu. Por së paku studimi i ri ndihmon prindërit të parandalojnë prekjen e fëmijëve nga kjo alergji. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>