Dështimi me Gjykatën Speciale, ia zgjat jetën Rezolutës 1244

Shtetësia dhe imazhi i Kosovës do të goditeshin rëndë nëse institucionet vendore dështojnë që të themelojnë Gjykatën Speciale dhe këtë përgjegjësi ia lëshojnë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thonë analistët politik.Sipas tyre, Kosova tashmë ka marrë përsipër obligimin ndërkombëtar që të themelojë këtë Gjykatë dhe ky vendim është vulosur edhe me miratimin nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar.

Analisti politik, Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika ka thënë për Radion Evropa e Lirë se do të ishte tmerrshme nëse një Gjykatë e tillë do të themelohej nga Këshilli i Sigurimit.

Mes tjerash, ajo do të kishte një jetëgjatësi të pafund dhe do të sfidonte rëndë subjektivitetin dhe shtetësinë e Kosovës, ka thënë Rashiti.

“Nëse një gjykatë e tillë formohet nga Këshilli i Sigurimit, e cila do të jetë gjykatë tërësisht me karakter ndërkombëtar dhe i tërë mandati i saj si edhe mbyllja e saj do të jetë vetëm në dorën e Kombeve të Bashkuara. Do të kishim një rast sikurse me gjykatat tjera ndërkombëtare apo administratat tjera, sikurse kemi rastin me administratën e UNMIK-ut”, ka deklaruar Rashiti.

Ndërkohë, edhe analisti Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë rikujton se Kuvendi i Kosovës qysh vitin e kaluar ka marrë vendim që kjo gjykatë të themelohet.

Ky është një obligim tashmë ndërkombëtar dhe dështimi i themelimit të saj do të kishte pasoja të mëdha për Kosovën, ka theksuar Doli.

“Themelimi i një institucioni ndërkombëtar nga ana e OKB-së do të bëhej kryesisht në kuadër të Rezolutës 12 44 dhe me këtë rast shtetësia e Kosovës dhe kapaciteti i Kosovës si shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare do të mohohej plotësisht. Për më tepër, themelimi i një Gjykate Speciale nga ana e OKB-së do të ketë pasoja shumë të mëdha në imazhin e Kosovës në të ardhmen”, ka vlerësuar Doli.

Themelimi i Gjykatës Speciale do të jetë problematik, parasheh analisti Doli.

Por, sipas tij, Kosova duhet ta dëshmojë aftësinë e saj si shtet që të çojë përpara zotimet e marra përsipër.

“Serioziteti i Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare matet çdo herë me mënyrën se si Kosova arrin të vë në jetë obligimet ndërkombëtare. Themelimi i Gjykatës Speciale pikërisht do të jetë njëkontribut i Kosovës, përveç përmirësimit të imazhit të saj, do të jetë kontribut në forcimin e imazhit të Kosovës si një vend që është në gjendje të zbatojë dhe vë në jetë të gjitha obligimet ndërkombëtare të cilat i ka marrë me vendimin e Kuvendit vitin e kaluar”, ka theksuar Doli.

Në anën tjetër, analisti Naim Rashiti thotë se themelimi i Gjykatës Speciale për Bashkimin Evropian nënkupton plotësimin e kushtit kryesor nga ana e Kosovës, qoftë për liberalizimin e vizave apo edhe përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Shtetet mike të Kosovës, ka vijuar ai, nuk duan që ky proces të rrëshqas kah Këshilli i Sigurimit, ku Kosova do të bllokohej sërish nga vendet që nuk e njohin atë si shtet.

“Faktori ndërkombëtar, si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni janë shumë të interesuar që ky proces të mbetet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe të mos zgjerohet përtej kësaj kornize sepse armiqtë e Kosovës do ta përdornin këtë për ta rrënuar shtetësinë e Kosovës. Kosova nuk guxon të lejojë që një gjykatë e tillë të jetë me mandat të pafund apo të stërzgjatur, sepse do ta degradonte subjektivitetin e saj si shtet”, ka theksuar Rashiti.

Opozita, tashmë është pozicionuar kundër themelimit të kësaj Gjykate.

Përderisa edhe nga partitë në pushtet ka deputetë që e kanë vënë në pikëpyetje votën e tyre për themelimin e saj.

Themelimi i këtij “mini” Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Aktualisht, një ekip nga Kosova, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është në negociata me Brukselin rreth infrastrukturës ligjore e kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.

Zvarritjet e themelimit të kësaj Gjykate, përveç se rrezikojnë që procesin ta kthejnë kah Këshilli i Sigurimit, sipas prokurorit Williamson rrezikojnë edhe vet dëshmitarët e rasteve që pritet të gjykohen.

Në përmbyllje të hetimit të tij, një vëmendje të posaçme Williamson ia kishte kushtuar, asaj që ai e kishte quajtur klimë të frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se “ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë procesin hetimor” që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes ndërhyrjes te dëshmitarët. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>