Qeveria e Kosovës kërkon që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të mos diskutohet pa u zbatuar nga Serbia marrëveshjet e arritura. Pala serbe insiston në krijimin e shpejtë të Asociacionit.
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se ata nuk do të pranojnë asnjë kusht të përfaqësuesve të komunitetit serb të Kosovës që del jashtë kornizave të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Të mërkurën e javës së kaluar, kryetarët e komunave me shumicë serbe me praninë edhe të përfaqësuesve të qeverisë se Serbisë dhe deputetëve serbë në kuvendin e Kosovës, u dakorduan në një takim në Graçanicë për një veprim të përbashkët politik, sic u tha, në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë përmes një Asociacioni të fuqishëm të komunave serbe.
“Komuniteti serb vendos për një veprim të përbashkët politik, për mbrojtjen e të drejtave dhe realizimin e interesave të popullit serb, përmes formimit të një Asociacioni të fuqishëm të komunave serbe”, thuhej në mes tjerash në deklaratën për media pas takimit të Graçanicës.
Presioni i Listës “Serpska”
Ndërkohë, mediat lokale në Prishtinë shkruajnë se Lista “Serpska”, që përbëhet nga 10 deputetë në kuvendin e Kosovës, po bën presion për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për faktin që shumë shpejt Serbia do të nisë ndryshimet kushtetuese dhe në kuadër të tyre synohet krijimi i një amendamenti të veçantë për Asociacionin. Deputetët e listës Serpska akoma po vazhdojnë të bojkotojnë institucionet e Kosovës që nga shkarkimi nga detyra i ministrit serb Aleksandër Jabllanoviq dhe ky bojkotim thuhet se do të vazhdojë deri në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërsa zyrtarë të qeverisë së Kosovës nga ana e tyre, thonë se cështja e Asociacionit akoma nuk është në rend dite, sepse fillimisht sipas tyre, Serbia duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri tash.
Edita Tahiri ministre për dialogun Kosovë-Serbi, i tha DW se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shqetësimet e tyre mund dhe duhet t’i adresojnë në institucionet e Kosovës e jo jashtë tyre.
Tahiri: Të zbatohen njëherë marrëveshjet e arritura
“Çështja e Asociacionit është një çështje që jemi dakorduar në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Por çështja e Asociacionit akoma nuk është në rend dite, sepse, akoma ka çështje të tjera që duhet të zbatohen plotësisht. Çështjet që fillimisht duhet të kryhen, përkatësisht marrëveshjet që duhet të zbatohen janë: Serbia duhet që t’i shuaj të gjitha strukturat paralele që i ka në Kosovë, të zbatohet plotësisht marrëveshja për drejtësinë, e cila u arrit në muajin shkurt, kërkojmë që struktura paramilitare mbrojtje civile të shuhet plotësisht dhe pjesëtarët e saj të integrohen në institucionet e Kosovës dhe kërkojmë që të hiqet barrikada mbi urën e Lumit Ibër. Pra, kur këto të zbatohen praktikisht dhe vërtetohet se u zbatuan, atëherë tema e Asociacionit do të jetë në rend dite”, thotë Edita Tahiri.
Ky Asociacion sipas zonjës Tahiri, do të jetë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës, përkatësisht me ligjin për vetëqeverisje lokale. Në bazë të këtij ligji, Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive e as mbikqyrëse, por mund të ketë funksione kordinuese, konsultative për nevojat komunale. Bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga ana e listës Serpska, nga analistë të ndyshëm u interpretua edhe si rrezik për ndërprerjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Edita Tahiri, thotë se qeveria e Kosovës është për vazhdimin e dialogut me Serbinë, asnjëherë nuk ka thënë që do ta ndërpresë dialogun, mirëpo, fillimisht kërkon që të zbatohen nga ana e Serbisë marrëveshjet e arritura deri tash në mënyrë që të hapet rruga për tema të reja, apo sic e quan ajo, fazën e tretë të dialogut. “Që nga tetori i vitit të shkuar ne kemi vërejtur që Serbia jo që nuk po i zhbën strukturat e saja paralele në Kosovë, por përkundrazi i ka forcuar dhe ka vënë nën hije veprimtarinë e komunave legale që janë zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe pikërisht zgjedhjet lokale të vitit 2013 janë rezultat i marrëveshjes së Brukselit Kosovë-Serbi e nënshkruar me 19 prill të po të njejtit vit. Pra, nga ana jonë unë mund të them se qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vazhdimin e dilaogut me Serbinë, por ne kërkojmë rritje të cilësisë në zbatimin e marrëveshjeve për të krijuar kushtet për fazën e tretë të dialogut ku do të hapen tema të reja”, thotë Edita Tahiri.
Si të sigurohet progresi në dialog
Qeveria e Kosovës njoftoi të hënën me datë ( 23.03 ) se i ka paraqitur Bashkimit Evropian raportin mbi rrjedhat e dialogut të Brukselit dhe procesin e zbatimit të marrëveshjeve për periudhën 1 tetor 2014–20 mars 2015. Në këtë Raport që është nënshkruar nga ministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e dialogut të Brukselit për procesin e zbatimit, paraqitet vlerësimi i Qeverisë së Kosovës për progresin dhe sfidat e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe Dialogut teknik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në raport ndër të tjera thuhet se Qeveria e Kosovës dëshiron të theksoj se zbatimi i marrëveshjeve është me rëndësi parësore për suksesin e plotë të këtij dialogu. “Ne e vlerësojmë shumë lehtësimin që ofron Bashkimi Evropian dhe garancitë për rezultatet e dialogut, si dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për të. Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se politikat e matjes së performancës dhe stimujt e njëpasnjëshëm dhe kushtëzimet për të dy shtetet në rrugën e tyre të euro-integrimit, janë të nevojshëm për të siguruar progresin e kërkuar në dialog”, thuhet në raportin e dialogut që qeveria e Kosovës i dorëzoi Brukselit zyrtar. (dw)