Parlamenti Europian vëren përkeqësim të klimës politike në vendet e Ballkanit, çka shoqërohet nga ndërhyrjet në punët e gjyqësorit dhe të medias, duke cenuar lirinë e shprehjes. Eurodeputetët u treguan më të drejtpërdrejtë në ditën e dytë të seminarit të organizuar nga Parlamenti Europian, posaçërisht për dialogun politik dhe funksionimin e demokracisë në vendet e zgjerimit, ku morën fjalën dhe përfaqësuesit e delegacionit shqiptar.
Eduard Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë, tha se “kultura politike për vendet kandidate dhe ato potenciale për në BE, nuk është bojkoti i punës parlamentare”. “Kultura politike nuk është antagonizmi i kundërshtarit. Kultura politike nuk është akuza e pabazë. Kultura politike nuk është përgjimi i gjithëpërhapur ndaj qytetarëve. Kultura politike nuk është ndërhyrja ndaj institucioneve të pavarura. Kultura politike nuk është kultivimi i mjedisit autocensurues për gazetarët dhe shoqërinë civile”, theksoi ai.
Ralf Gjoni, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, shtroi një pyetje për panelin, dhe në veçanti për zotin Brok: Çfarë ndodh kur krijohen të gjitha hapësirat për opozitën që të marrë pjesë e të jetë konstruktive, dhe nëse motivi i vetëm absolut për bojkot, e këtu nuk i referohem vetëm Shqipërisë, bëhet për qëllime të ngushta politike? Sipas Gjonit, “mesazhet nga Brukseli janë shumë të rëndësishme dhe ajo që dua të them me këtë është se ato duhet të jenë koherente, dhe jo të përqafojnë detyrimisht agjendat e ndryshme politike të këtyre vendeve”.
Gert Bogdani, deputet i Partisë Demokratike, iu përgjigj këshilltarit Gjoni: “Dëgjova kolegun tim nga LSI-ja që fliste për grupe miqësore dhe organe të tjera të domosdoshme që kryesohen nga opozita, çfarë është si t’u shesësh akull eskimezëve. Në demokraci flasim për komisione hetimore si i vetmi mjet i opozitës për të kontrolluar qeverinë meqë flasim për lirinë e shprehjes. Ai foli dhe për një perceptim të klimës negative në vend, si e nxitur nga opozita. Ndërkohë që skandali i fundit në Shqipëri, siç jeni në dijeni, nuk vjen nga opozita, por vetë mazhoranca, ku deputeti akuzon drejtuesin e Kuvendit dhe Kryeministrin e tij. Pra, është diçka mes tyre”.
Elmar Brok, kreu i Komitetit të Jashtëm i PE-së, theksoi: “Jam shumë i interesuar të di se si do të shkojnë gjërat për këtë hetim në Shqipëri mbi akuzat apo çështjen ligjore, e në Shqipëri është edhe ky shembulli që qeveria fajëson opozitën për çfarë nuk arrin. Demokracitë në zhvillim nuk duhet të kenë nevojë për Brukselin. Nuk do të ndihesha rehat po të ndërhyja mes qeverisë dhe opozitës dhe nuk ka pse të ketë vend për ndërmjetësim nga ana jonë”.
Ndërsa Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE, nënvizoi: “Jam i sigurt se kolegët e PPE-së nuk po veprojnë mirë, si në Parlamentin Europian, ashtu dhe në Bundestag, por nuk më takon mua t’u tregoj se çfarë duhet të bëjnë ata. Qeveria dhe opozita duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të zgjidhur problemet me krimin apo median, nëse duan vërtet, por kjo më së pari duhet të ndodhë në Parlament. Në të kundërt, është njësoj si të paguash një shitëse që nuk paraqitet fare në dyqan”.
Megjithëse pjesa dërrmuese e draft-rezolutës së PE-së mbi Shqipërinë flet për dialog politik dhe kompromis mes palëve, në këtë takim nuk u paraqit asnjë deputet nga shumica qeverisëse. Kuvendi u përfaqësua vetëm me deputetin demokrat Bogdani, si dhe 3 këshilltarët e grupeve kryesore politike.
Përgatiti: Arta Tozaj / Top Channel