Gjashtë vende të Ballkanit perëndimorë po diskutojnë në Prishtinë projektet ekonomike në rajon dhe veçanërisht investimet në infrastrukturë.
Të mërkurën Kosova është mikpritëse e konferencës ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen projektet ekonomike në rajon, veçanërisht investimet në infrastrukturë.
Takim i së mërkurës pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.
Komisionari i Bashkimit Evropian për politikë të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johanes Han, po merr pjesë në konferencë, ku të pranishëm janë edhe ministrat e jashtëm dhe ata të infrastrukturës të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ai që njihet tashmë si “Procesi i Berlinit”, filloi me konferencën e nivelit të lartë të mbajtur në Berlin më 28 gusht të vitit 2014. Ky proces është cilësuar si formë e mbajtjes së ritmit integrues të Ballkanit.
Në konferencën e Berlinit i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin. Konferenca ishte vlerësuar si një përpjekje për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të rajonit, përmes edhe zhvillimit më të shpejtë ekonomik të tij. (voa)