Peshëngritja shqiptare gjunjëzohet përfundimisht pas telenovelës së krijuar prej Federatës për pozitivitetin e tre sportistëve shqiptarë në Botërorin e Kazakistanit vitin e shkuar.
Top Channel mëson se Daniel Godelli dhe Romela Begaj e kanë humbur betejën e tyre për të mbrojtur veten përballë pozitivitetit të analizave A dhe B. Të dy këto sportistë janë pezulluar me 2 vjet nga Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF) pasi rezultuan pozitivë dhe siç pritej, përgjigjia e analizave ishte e pakthyeshme, ndërkohë që Hysen Pulaku si përsëritës, pasi është dënuar edhe në Olimpiadën e Londrës për përdorim substancash të ndaluara, këtë herë dënohet me 8 vjet.
Tentativat për t’i fshehur këto lajme të publikuara nga mediat dhe të kamufluara nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes kanë marrë fund pas disa muajsh me vendimin që ka mbërritur tashmë zyrtarisht.
Në këtë mënyrë, rezultati historik i peshëngritjes shqiptare, me Daniel Godellin kampion bote, jo vetëm që zerohet, por ai duhet të dorëzojë medaljet dhe do të vuajë një pezullim 2-vjeçar, për përdorim të substancave të ndaluara.
Stanozolol ishte substanca e përdorur nga të tre sportistët shqiptarë. Po me të njëjtin pezullim do të përballet edhe Romela Begaj, e cila në këtë Botëror arriti të marrë medaljen e artë në stilin e shkëputjes, që duhet ta dorëzojë.
Ndërkohë, Hysen Pulaku, pavarësisht rezultatit jo në zonë medaljeje në këtë Botëror, është futur në testin antidoping si sportist që rikthehej pasi vuajti pezullimin prej 2 vjetësh që mori në “Londër 2012”, por që doli sërish pozitiv. Si përsëritës, ai dënohet këtë herë me 8 vjet pezullim.
Në këtë mënyrë, Federata Shqiptare e Peshëngritjes goditet si kurrë më parë dhe po si asnjëherë më parë askush nuk mban një përgjegjësi për këtë ngjarje kaq të rëndë.
Ndërkohë që për këtë Botëror, si asnjëherë më parë, është paguar një fond prej rreth 200 mijë eurosh për përgatitjen e sportistëve shqiptarë në Greqi nga trajneri i përfaqësueses greke, ish-peshëngritësi shqiptar, Luan Shabani.
Në momentin e daljes së rezultatit e mbërritjes së sportistëve në Shqipëri, të shumtë ishin ata që morën meritat për atë rezultat historik, por që rezultoi i gënjeshtërt dhe tani askush nuk përgjigjet më. / Top Channel