Haraç, definicion ky që në Kosovë është shndërruar në sinonim të komandantëve matrapazë të luftës, që sot janë pjesë të institucioneve, drejtorë të ndërmarrjeve, pronarë të aseteve të Kosovës.
Për 16 vjet me radhë plaçkitën, uzurpuan, grabitën e çfarë jo tjetër në emër të luftës. Madje jo pak nga ata janë edhe përfaqësues të diplomacisë së Kosovës, s’prish punë pse ata janë thjesht analfabetë dhe pjesë e strukturave kriminale të institucionalizuara të Kosovës.
Varësisht nga fuqia politika, këta ish-komandantë, kanë evoluar edhe me pozicione të tyre. Dikush nga uzurpimi e haraçi nëpër kioska e dyqane kanë kaluar në talle të tenderëve publikë milionësh. Të tjerë bëjnë politikë për interesa të biznesit, dikush merret me diplomaci. Kush s’ka arritur të marrë ulësen e pushtetit, e ka gjetur vetën me kazino e aparate të lojërave të fatit, duke i lakmuar shokët e luftës në pushtet. Të gjithë këta akterë të plaçkës nisën shtrirjen në emër të luftës, që gjoja e kanë bërë për çlirimin e Kosovës.
Biznesmeni Eroll Vitaku është vetëm njëri nga shumë biznesmenë që pati guximin të rrëfejë rastin e tij nga halli i madh që ka pasur prej banditëve të luftës. Foli publikisht në emisionin “Puls”, duke përmendur se kush ishin haraçkërkuesit e tij. Gjendja e tij fizike, fasha në hundë, vetëm sa të jepnin një pasqyrim të terrorit që kanë ushtruar grupe banditësh mbi të.
Emrat e komandantëve, Rustem Mustafa (Remi) e Latif Gashi (Lata), nuk ishin befasi.
Lajmi ishte guximi i këtij qytetari të Kosovës, që në këtë ambient gangsterësh, ku secili prej tyre ka një lidhje në polici apo gjykatë, të dalë e të flasë publikisht.
E pritshme është që të dy këta ish-luftëtarë të UÇK-së ta mohojnë të kenë kërkuar haraç, njësoj sikurse edhe shumë ish-komandantë, shokë të tyre të luftës, që sot s’ia dinë skajin pasurisë që kanë, ato shtëpi e prona milionëshe.
Kur pyeten, ata tregojnë për “sakrificat” gjatë luftës, sesa shumë e kanë pritur ditën kur Kosova të shpallet shtet i pavarur. Janë po këta kërcënues e shatazhues, që njëmend po i gëzojnë ditët në liri.
Janë thirrur në emër të luftës për të përfituar në secilin rast që u ka dalë përpara. Kanë besuar se euforia e pasluftës do të zgjasë pa mbarim.
Por, Vitaku është vetëm një shembull i njërit prej shumë qytetarëve të tjerë të Kosovës që ua kanë vënë lakun në fyt, komandantët që në emër të luftës prej 1999-s vazhdojnë të plaçkitin çfarëdo që u del përpara.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë se për gjithë këto vite haraçi nuk filloi e mbaroi me pronarët e dyqaneve të Pallatin të Rinisë në Prishtinë. Vitaku e riaktualizoi një krim që është i shtrirë në tërë territorin e Kosovës. Bosët e haraçit kanë të ndarë territoret, bizneset, menaxhimin e aseteve të Kosovës varësisht nga cila zonë e luftës vijnë.
Normalisht, jo të gjithë e shtrijnë këtë terror mbi qytetarët e këtij vendi, duke kërkuar haraç në mënyrë klasike. Shantazhi për përfitim shtrihet në forma dhe nivele të ndryshme.
Ata thonë se e filluan luftën për ta bërë Kosovën e pavarur, me tërësinë e saj territoriale, e në fakt sot janë kapësit dhe plaçkitësit e shtetit.
Remi e Lata nuk janë emrat e vetëm që kanë epitetin e haraçkërkuesve. Shokët e tyre të luftës, që zotërojnë fuqi financiare në partitë e krahut të luftës, disa në pushtet e disa në opozitë, pa asnjë biznes janë nëntoka e krimit.
E kur krerët e krahut të luftës flasin për korrupsion dhe elementet që aludojnë në të, asnjëherë nuk deklarohen për luksin e tyre, bashkë me vëllazëri… Partitë e krahut të luftës kanë dëshmuar elemente të njëjta të ushtrimit të terrorit mbi popullatë në emër të luftës. E gjithë këtë pushtet e kanë arritur duke u thirrur në emër të luftës, derisa janë pasuruar jashtëligjshëm. Kurse, faturën e izolimit e denigrimit po e paguajnë qytetarët për shkak të veprimeve që ka bërë një grup kriminelësh.
Ata askush nuk ka guxuar t’i luftojë me mjete ligjore, që nga mbarimi i luftës. Këta “patriotë” që sot ankohen se “Gjykata Speciale do ta dëmtojë imazhin e Kosovës”, e kanë fundosur imazhin duke përvetësuar çfarëdo që u ka rënë dorë.
Cili prokuror apo gjykatës vendor e ka guximin të merret me këta individë që e kanë shtrirë fuqinë në secilin sektor, të cilët mbajnë peng njerëz me shantazhe e përgjime?
Është e natyrshme që këta nuk e mbështesin themelimin e Gjykatë Speciale, sepse e duan Kosovën të tillë siç është, pa drejtësi dhe ligje që ndëshkojnë. Ky është ambienti më i përshtatshëm për të ushtruar terror jo vetëm verbal.
Kosovës i ka ardhur koha të pastrohet nga njollat, sepse barrën për denigrimin e Kosovës nuk kanë pse ta bartin dy milionë banorë të saj.
Një e mirë që po i ndodh këtij vendi, janë zërat që s’po kanë frikë të flasin për ata që s’është guxuar t’u përmendet emri tash e 16 vjet! (zeri/Arbana Xharra)