Pejsazhi politik në përgatitje për zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të ndryshojë së shpejti. Ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton pritet të shpallë kandidaturën e sajsot për garën presidenciale të vitit 2016. Ajo është favoritja e shumë grupeve të grave, të rinjve dhe për momentin pretendentja më e fortë e kampit demokrat.
Shtatë vjet më parë, ajo e filloi garën si kandidatja favorite, dhe këtë radhë ndoshta edhe më shumë. Në pjesën më të madhe të anketimeve, Hillary Clinton është 50 pikë përpara kandidatit demokrat më të afërt.
Ish-aspirantja për presidente e vitit 2008, rikthehet në garë pas disa dekadash në jetë publike, si zonjë e parë, si senatore e Shteteve të Bashkuara, dhe si sekretare shteti me Presidentin Obama.
Me emrin e saj të mirënjohur në politikë, Hillary Clinton është konsideruar prej kohësh si kandidatja kryesore e demokratëve për vitin 2016, duke patur kështu një numër të kufizuar sfidantësh politikë.
Analisti politik Charlie Cook, i “Charlie Cook Political Report”, thotë se sfida më e madhe për fushatën e znj. Clinton mund të jetë e shkuara e saj.
“Mendoj se në njëfarë mënyre, Hillary Clinton do të garojë me vetveten. Asaj i duhet të tregohet e përshtatshme për shekullin e 21-të. I duhet të jetë e orientuar më shumë drejt së ardhmes sesa të shkuarës. Po ta mendosh, ajo ka pjesën e saj në 16 nga 24 vjet në Shtëpinë e Bardhë, në një kohë kur njerëzit po kërkojnë një ndryshim”.
Ndërkohë që znj. Clinton po përballet me rivalitet të kufizuar për të marrë emërimin demokrat, një vazhdë e gjatë me kandidatë janë duke luftuar për emërimin republikan.
Znj. Clinton pritet të pasojë njoftimin në mediat sociale me takime me votuesit në shtetet ku do të zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve partiake.
Raundi i parë i votimeve paraprake për zgjedhjen e kandidatit demokrat për president do të zhvillohet në shkurt 2016. (voa)