Kosovë: Diplomacia amerikane nxit ngritjen e Gjykatës së Posaçme

atifeteNë Prishtinë po qëndron Stephen Rapp, ambasador amerikan për krime lufte, për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës ngritjen gjykatës.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa shfaqën besimin se institucionet e vendit do të kryejnë detyrimet për ngritjen e Gjykatës së Posaçme, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të Ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Ata i bënë këto komente në takimet me zotin Stephen Rapp, ambasador amerikan për krime lufte, me të cilin kanë diskutuar procesin e ngritjes së gjykatës. Në një njoftim të zyrës së presidentes Jahjaga thuhet se ajo e ka njoftuar ambasadorin Rapp për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës së Posaçme, e cila do të sigurojë një proces të besueshëm dhe të përgjegjshëm për t’u përballur me akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës. Ajo citohet t’i ketë thënë mysafirit se institucionet e Kosovës tashmë kanë dëshmuar përgjegjësinë për këtë proces dhe mbesin të përkushtuara të përmbushin këtë detyrim ndërkombëtar, që do të dëshmojë seriozitetin e Kosovës si pjesëtare e përgjegjshme e skenës ndërkombëtare. Ajo ka shprehur angazhimin e saj për të diskutuar me të gjitha institucionet dhe forcat politike përgjegjësitë dhe implikimet që dalin nga procesi i themelimit të gjykatës e cila siç thuhet, nuk do të gjykojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, por do të përcaktojë përgjegjësinë individuale për akuzat e ngritura.

Kryeministri Isa Mustafa, theksoi po ashtu përkushtimin e qeverisë së Kosovës dhe besimin në pjekurinë e institucioneve të Kosovës për të marrë vendime të rëndësishme. Në një komunikatë të zyrës së kryeministrit thuhet se ambasadori Rapp, e vlerësoi punën e deritashme që kanë bërë institucionet e Kosovës si dhe inkurajoi për hapat e rëndësishëm dhe të nevojshëm që duhet të ndërmerren, në vijim. Ai shprehu gatishmërinë e qeverisë amerikane për të ndihmuar në këtë proces, thuhet në njoftim.

Të mërkurën e kaluar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, vlerësoi se ndryshimet kushtetuese për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte, nuk janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Pas këtij vlerësimi janë shtuar përpjekjet për të siguruar ngritjen e gjykatës.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jackobson, tha të enjten se dështimi i mundshëm i parlamentit të Kosovës që të votojë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, do ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se kësaj gjykate të cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por edhe sovranitetit të saj. Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Qeveria krahas propozimeve për ndryshime kushtetuese miratoi në fillim të marsit edhe projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të akuzohen në proceset gjyqësore të kësaj gjykate.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Ish shefi i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për këtë çështje prokurori amerikan Clint Williamson, në fund të muajit korrik të vitit 2014, tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>