Ministria e Brendshme doli sot zyrtarisht me raportimin për bastisjet e kryera një ditë më pare në fshatin Brezë dhe Malinë të Malësisë së Karadakut. Në njërin prej fshatrave, ministrja Jankullovska pohoi se është gjetur armatimi i cili është marrë gjatë sulmit të kryer në pikën kufitare në Gushincë. Një 55 vjeçar, banorë i fshatit Brezë i cili ka shtëpi edhe në fshatin Bërnjac të Haraçinës, e bastisur gjithashtu nga policia, dyshohet si pjesë e grupit që sipas Ministrisë së Brendshme ka kryer sulmin në Gushincë. Më pas nga MPB konfirmuan se bëhet fjalë për Sulejman Osmanin.
“Dy pushkë automatike, dy snajperë, 10 pistoleta dhe municion, radiomarrëse dhe uniforma si dhe maska me emblemë të UÇK-së, janë gjetur në shtëpinë e 55 vjeçarit, banor i fshatit Brezë. Kemi dyshime se është i lidhur direkt ose indirekt me incidentin e 21 prillit që ndodhi në Gushincë. Pas analizës së bërë armatimit dhe numrave serik është konstatuar se bëhet fjalë për një pjesë të armatimit që është marrë gjatë sulmit në stacionin policor në Gushincë”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Jankullovska tha se edhe ish komandanti i UÇK-së Mirsad Ndrecaj, i njohur në vitin 2001 si komandant NATO, i cili ditë më parë mori përsipër sulmin, është po ashtu një nga të dyshuarit kryesorë. Ajo nuk dha më tepër hollësi për aksionin dhe për sulmin që ndodhi në Gushincë, me arsyetimin se nuk dëshiron të dëmtojë hetimet. Arben Zeqiri