U bë shumë zhurmë për një ngjarje e cila cilësohet më shumë si inskenim i qeverisë maqedonase sesa diçka që ka të bëjë me realitetin.
Por, si do që të jetë, aksionet e policisë së këtij shteti, rikthyen tek shqiptarët ankthin e ditëve kur Maqedonia u përfshi në konfliktin e armatosur të vitit 2001.
Kjo ndjenjë e përcjell edhe tash familjen Osmani nga Haraçina e cila u përball me një akuzë që e ngarkon kryefamiljarin si të përfshirë në incidentin e ndodhur në Gushincë.
Pasiguria është prezente tek shqiptarët atje që jetojnë me frikën e një aksioni të radhës. Ekipi i RTK-së ka qëndruar në këto zona që pakkush nga mediat shqiptare ka mundur t’i vizitojë.
Ankthi i shqiptarëve të Maqedonisë është rikthyer pas incidentit të ndodhur në Gushincë të Likovës.
Në kërkim të gjetjes së fajtorit nga ana e Qeverisë maqedonase, anëtarët e familjes Osmani në fshatin Bërrnjac të Haraçinës së Shkupit, ishin në shënjestër të plumbave të policisë së këtij shteti.
Kryefamiljari Sylejman Osmani kërkohet nga policia si i dyshuari kyç për sulmin ndaj policisë maqedonase ditë më parë. Kjo ka bërë që edhe anëtarët e tjerë të kësaj familjeje më shumë të qëndrojnë larg shtëpisë.
Duke mohuar çdo akuzë të autoriteteve, ata theksojnë se e gjithë kjo ngjarje është një kurth.
Kryefamiljarja tregon se gjatë bastisjes, policia nuk arriti të gjente asnjë gjurmë që do ta lidhte këtë familje me aktivitete kriminale.
Haraçina e Shkupit njihet si një nga vatrat ku konflikti i vitit 2001 kishte jehonë më të madhe.
Nga kjo zonë e populluar me shqiptar e deri tek brezi kufitar me Kosovën përkatësisht fshati Malinë dhe Brezë, nevojiten deri në 3 orë rrugë.
Megjithëse mungonin kontrollet e policisë, prezenca e tyre gjatë rrugës vërehej në pothuajse çdo 20 kilometra.
Shtëpia e të kërkuarit shqiptar tashmë e është e lirë nga policia.
Ky objekt ishte përdorur nga familja osmani vetëm në sezon vere pasi ka vite janë shpërngulur në Haraçinë të Shkupit.
Lidhur me këtë rast, banorët e paktë të mbetur në mes dy kufijve nuk duan të thonë as edhe një fjalë.
Heshtja ka mbuluar fshatin për të cilin u bë shumë zhurmë. (Valdete Osmani / rtk)