Barometri i Ballkanit, Hahn: Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit me rëndësi madhore

HahnKëshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikoi në Bruksel për herë të parë Barometrin e Ballkanit, një monitorim vjetor që rinis me një tjetër emërtim në kuadër të strategjisë 2020.

Në të përmblidhen  vlerësimet e  biznesit dhe opinionit publik mbi zhvillimin ekonomik të vendeve respektive, ku normat më të larta vërehen për Kosovën dhe Shqipërinë,  arsimin, drejtësinë, ku shqiptarët dallohen për besimin më të ulët ndaj sistemit, por dhe mbi zgjerimin me Bashkimin Europian, ku përgjithësisht ruhet entuziazmi, megjithëse në një përqindje disi më të ulët.

Raportet u paraqitën në një konferencë të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve europiane dhe qeverive të Ballkanit.

“Integrimi europian dhe bashkëpunimi rajonal janë dy procese të ndërthurura që nuk mund të shmangin njëri-tjetrin”, u shpreh ministri i Jashtëm, Bushati, në cilësinë e kryesuesit të procesit të bashkëpunimit rajonal të Europës Juglindore, ndërsa insistoi për rishikim të politikës së zgjerimit.

“Por, unë nuk mund të shmang së vërejturi një paradoks mes qëllimit tonë të përbashkët  për anëtarësim të plotë në BE dhe instrumenteve të bashkëpunimit rajonal  që na janë vënë në dispozicion për arritjen e këtij qëllimi. Ngjan sikur i kemi vënë vetes qëllime të forta nga njëra anë, ndërsa në anën tjetër përdorim instrumenta të butë. Kjo do të thotë se, si një rajon, ne duhet të bëjmë më shumë dhe të mësojmë më mirë nga  boshllëqet dhe mospërputhjet mes ambicieve dhe kapaciteteve tona. Nëse krahason GDP, të ardhurat kombëtare dhe eksportet vjetore, nga 2003 deri në 2011, është e dukshme se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur më të varfër, jo vetëm krahasuar me shtetet anëtare të BE-së, por dhe me vendet e tjera ballkanike që i janë bashkuar prej atëherë BE-së. Kjo do të thotë se rajoni ynë nuk është i ndryshëm veç për aspektin e zhvillimit ekonomik, por se procesi i integrimit në BE ende reflekton realitete të së kaluarës”, tha Bushati.

Kërkesa e përsëritur e  ministrit shqiptar siguroi përgjigjen pozitive të Komisionerit Johannes Hahn, i cili deklaroi dhe datën e publikimit për raportet e radhës së progresit në vendet e zgjerimit, duke shpalosur detaje për pritshmëritë e secilit vend ballkanik.

“Paketa e radhës mbi Zgjerimin do të miratohet më 14 tetor. Ne do të ruajmë fokusin tonë mbi çështjet themelore dhe do të shfrytëzojmë këtë paketë për të rigjetur kalibrin e metodologjisë sonë.
Dhënia e statusit kandidat Qershorin e kaluar ishte një arritje e madhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Isha në Tiranë, në Mars, për tryezën e DNL që bashkëdrejtova me Kryeministrin Rama, dhe mirëprita progresin e bërë nga Shqipëria në reformën e administratës publike, si dhe për hapat fillestar të ndërmarrë në fushën e gjyqësorit dhe krimit të organizuar. Sundimi i ligjit mbetet me rëndësi madhore. Lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar dhe reforma e gjyqësorit janë kyçe. Më shumê punë themelore kërkohet gjithashtu për administratën publike dhe qeverisjen ekonomike”, ka deklaruar Komisioneri Johannes Hahn.

Ndërsa për Shqipërinë, Komisioneri nuk përmendi një rekomandim të mundshëm për nisjen e negociatave të anëtarësimit, për Serbinë ai u shpreh se kapitujt e parë mund të hapen këtë vjeshtë me kushtin që Beogradi të forcojë sundimin e ligjit dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog me Kosovën.

Mali i Zi ruan pozicion udhëheqës në rajon për procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa gjuha më e ashpër u përdor ndaj Maqedonisë, ku Hahn rrëfeu se për momentin Këshilli i BE-së nuk dëshiron më një përsëritje të rekomandimit pozitiv.

Komisioni kërkon trajtim urgjent të çështjeve që lidhen me të drejtat themelore, sundimin e ligjit dhe median, si dhe u bëri thirrje autoriteteve vendase dhe politikanëve të Shkupit për të zgjidhur krizën politike dhe për të ulur tensionet ndëretnike.

Përgatiti: Arta Tozaj / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>