Ministrja e brendshme, Gordana Jankulovska dhe ai i transporteve Mile Janakievski largohen nga qeveria. Largohet edhe shefi i shërbimit të zbulimit Sasho Mijalkov
Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski shkarkoi ministren e punëve të brendshme, Gordana Jankulovska dhe ministrin e transporit, Mile Janakievski.
Mjetet maqedonase të informimit thanë se kryeministri Gruevski i ka propozuar parlamentit për ministër te ri të punëve të brendshme Mitko Çavkovin, aktualisht drejtor i byrosë për siguri publike ndërsa Vlado Misajlovskin për ministër të transportit. Njoftohet se edhe drejtori i drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Sasho Mijalkov ka dhënë dorëheqje.
Parlamenti pritet të mblidhet të mërkurën për të miratuar ndryshimet.
Ndryshimet në qeveri pasuan përleshjet e armatosura në Kumanovë, që lanë pas vetes 22 të vrarë por edhe krizën politike të nxitur nga afera e përgjimeve. (voa)