Gjermania e shqetësuar për krizën në Maqedoni

kumanoveI ngarkuari për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjemranisë, Ernst Reichlet, gjatë qëndrimit në Shkup(15.05), dërgoi mesazhe për qeverinë dhe opozitën në Maqedonin të përfshirë nga kriza e thellë politike.

Gjermania kërkon nga pushteti hapa konkretë drejt zbardhjes së aferës së përgjimeve, që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe politizimin e institucioneve. Gjermania është thellësisht e shqetësuar për krizën politike që po kalon vendi dhe aksionin në Kumanovë, ka thënë Ernst Reichelt duke shpresuar se zhvillimet e fundit nuk do të tensionojnë mardhëniet ndëretnike. “Jemi të inkurajuar që pamë se si qytetarët në Kumanovë, nga të gjitha bashkësitë etnike, u bënë bashkë gjatë incidentit”, ka thënë Rajhell.

Pozita dhe opozita duhet t’i ndajnë përgjegjësitë

Ai ka zhvilluar takime veçmas me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Popovski dhe zëvëndëskryeministrin për Eurointegrime, Fatmir Besimi. “Gjetja e një rruge për dalje nga kjo krizë e rëndë, kërkon që qeveria dhe opozita të tregojnë përgjegjësi por njëkohësisht edhe ta ndajnë përgjegjësinë. Ndaj ne e kemi mirëpritur dhe e mbështesim takimin e katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni në praninë e BE-së dhe SHBA-së. Kjo është shpresa jonë e sinqertë, se ky format do të çojë në marrëveshje për të rivendosur besimin në institucionet e vendit dhe proceset demokratike”, u shpreh Reichelt.

Reichelt i inkurajoi bashkëbiseduesit në Shkup që të angazhohen në mënyrë më aktive në procesin e ndërmjetësimit të treshes së Parlamentit Europian. Ky angazhim sipas diplomatit gjerman, para së gjithash ka të bëjë me respektimin e standardeve europiane të sundimit të ligjit, transparencës dhe drejtësisë. Si lider europian, Gjermania kërkon që qeveria e Shkupit të marrë në konsideratë në mënyrë konkrete dhe thelbësore, akuzat e shumta për abuzime serioze të qeverisë, që dalin nga bisedat e përgjuara telefonike. “Dorëheqjet e fundit të ministrave të qeverisë dhe të Drejtorit të Sigurimit mund të jenë hapat e parë të rëndësishëm për të filluar rikthimin e besimit të publikut dhe për t’i adresuar problemet më themelore të cilat janë bërë të dukshme. Që kjo të jetë e mundur, janë të nevojshme masa të tjera në të ardhmen”, shprehet Rajhell.

Ai pret një hetim të pavarur gjyqësor dhe të besueshëm për të gjitha akuzat që janë shpalosur në opinion e në veçanti akuzat që kanë të bëjnë me sjelljen korrupitive të qeverisë, ndikimin në gjyqësor si dhe integritetin e procesit zgjedhor. Të gjithë bashkëbiseduesve në Shkup, Reichelt, me theks të veçantë ia ka apostrofuar rëndësinë e ekzistimit të pavarësisë së mediave, pavarësi e cila do të ndihmonte që të gjitha proceset të zhvillohen në mënyrë transparente dhe të besueshme.

Gjermania mbështet protestat paqësore dhe pa dhunë

Në funksion të paralajmërimit të protestave dhe kundër-protestave të opozitës dhe pozitës, për ditën e dielë dhe të hënë (17.05/18.05), Reichelt thotë se Gjermania mbështet plotësisht të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, duke përsëritur thirrjen për të gjitha palët, që të përmbahen nga dhuna në këto protesta. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>