‘Na ndihmo që të dalim të gjallë prej këtu sepse kemi gabuar dhe më kurrë s’do ta bëjmë këtë gabim’. Me këtë kërkesë grupi i armatosur iu kishin drejtuar liderit të BDI-së Ali Ahmetit, të shtunë kur po zhvilloheshin luftime në lagjen e trimave në Kumanovë.
Ahmeti, në Rruga Drejt, tha mbrëmë se grupi i armatosur kishin kërkuar një korridor për tu larguar nga vendi i luftimeve. Por, Ahmeti thotë se nuk kishte mundur të merr një përgjegjësi të tillë nga frika se dikush do të mund ti kishte vrarë. Pas një kohe, siç shpjegon Ahmeti kishin qenë vetë pjesëtarët e grupit të armatosur ata që kishin kërkuar të dorëzohen, që të mos digjen të gjallë në flakët e luftimeve që u zhvilluan në lagjen e trimave në Kumanovë për dy ditë radhazi.
“Unë asnjëherë nuk kërkova që ata të dorëzohen. Ata vetë e paraqitën opsionin e dorëzimit dhe pasi ja kam propozu organeve, ekipi që unë e dërgova, pas dy orësh më ka thirr Nikolla Gruevski. Më tha çka mendon për gjendjen, thash unë njerëzit i dërgova propozimin projektin e dorëzova, tha ajo a mund të bëhet. Thash sigurisht se mund edhe të bëhet sepse nuk është mirë as për shtetin as për banorët dhe kështu duhet të marrë fund kjo përleshje”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti thotë se para përleshjeve në Kumanovë, gjegjësisht pas sulmit në Goshincë kishte dërguar Sadulla Durakun që të bind komandant Sokolin të heqin dorë nga veprime të këtilla, por i njëjti kishte mohuar çdo përfshirje eventuale në atë sulm. Ahmeti tha se ai kishte qenë kundër një konflikti të armatosur pasi vlerëson se kjo shkon në dëm të shqiptarëve.
“Kam qenë njeriu që kam shpjeguar që nuk është në interes të shqiptarëve ndarja e Maqedonisë, nuk është në interes të shqiptarëve në tërësi çdo veprimtari që ushtrohet dhunë apo përdoret arma. Në këtë rast ne jemi të dëmtuar si shqiptarë në tërësi, edhe Kosova edhe Shqipëria, sepse mund të keqpërdoret nga dashakeqas të shqiptarëve se ja shqiptarët janë ata që e destabilizojnë vendin. Dhe unë po e them këtu përpara jush dhe u them gjithë shqiptarëve se nuk është në interes të gjithë shqiptarëve as ndarja e Maqedonisë, sepse nuk ke si e ndan, nuk ke vija demarkacioni”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
I pyetur për protestën e 17 majit të thirr nga opozita, Ahmeti tha se BDI nuk do t’i mbështeste në rast se përdoret dhunë. Në të kundërtën, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi që lirshëm të dalin dhe të protestojnë në mënyrë paqësore të gjithë ata që kanë pakënaqësi.
“E drejtë e çdo subjekti është që të protestojë, paqësisht, pa ushtrim dhune le ti shprehe kërkesat e veta. Në atë moment që ushtrohet dhunë nuk kanë përkrahje të bashkimit Demokratik për Integrim. Të gjithë le të dalin në protesta le të shprehin pakënaqësitë e tyre, pa përdorur dhunë”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Duke folur për Sulejman Osmanin, personi i cili kishte arritur ti arratisej policisë, Ahmeti ngre dyshime madje se si është e mundur që me pranga në duar tu ikë policëve. Ahmeti tha se personi në fjalë, në vitin 2001 ka qenë i arrestuar nga UÇK si person i dyshimtë. Arben Zeqiri