Të dielën në Shkup u mbajtën protesta të mëdha të organizuara nga shoqëria civile dhe nga opozita, duke kërkuar dorëheqjen e Gruevskit, kryeministrit tashmë të faktuar si antishqiptar.
Është e domosdoshme që qeveria Gruevski të rrëzohet, por e pamjaftueshme. Opozita maqedonase, që pretendon të zëvendësojë Gruevskin, nuk ka dhënë shenja për ndryshime përmbajtësore sa i përket shqiptarëve. Zoran Zaev flet për barazi qytetare, pra barazi të individëve, por Maqedonia mund të jetë një shtet i mirë për të gjithë vetëm atëherë kur të sigurojë barazinë kombëtare për shqiptarët. Barazia ose është e plotë, ose nuk është.
Insistimi vetëm tek barazia qytetare nënkupton mirëmbajtje dhe riprodhim të diskriminimit që i bëhet shqiptarëve. Ata nuk diskriminohen pse janë individë apo qytetarë, por për shkak të faktit që i përkasin një kolektiviteti politik siç është kombi shqiptar i cili gjer më tash është konsideruar si problem për Maqedoninë. Tejsimbolizimi i qenies politike të kombit çon në keqpërdorim të flamujve dhe në përqeshje. Shqiptarët nuk kërkojnë barazi flamujsh.
Nën regjimin e Gruevskit shqiptarët u getoizuan, u zhvendosën prej territoreve ku kanë banuar gjithnjë, u kategorizuan në mënyrë fyese, u dhunuan dhe u keqgjykuan nga shteti. Kjo ndodhi në bashkëpunim me BDI, pra me partnerët shqiptarë të qeverisë e cila duhet rrëzuar patjetër. Por, diçka më e rëndësishme se sa rrëzimi i qeverisë, është që të ndryshohet karakteri i vetë shtetit të Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit nuk mjafton!
Më herët Zaev ka thënë se ka fakte që dëshmojnë se rasti Monstra ishte i montuar nga shteti, ai deri më tash nuk ka bërë publike asgjë për të. Është e mirë dhe e rëndësishme që kreu i LSDM-së po i zbardh rastet e korrupsionit të pushtetit, dhe përdaljet fashiste të eksponentëve të saj (ish kryepolicja Jankullovska). Por këto nuk janë asgjë nëse nuk zbardhen krimet e orkestruara nga shteti të cilat i janë mveshur dhe montuar shqiptarëve duke i gjykuar e dënuar në mënyrë drakonike ata. Pikërisht këto montime që përfshijnë ekzekutivin e gjyqësorin e shpërfaqin të vërtetën e shtetit të Maqedonisë, krahas të vërtetës së pushtetit aty. Ta dish të vërtetën dhe ta mbash atë të fshehur është të bëhesh bashkëfajtor në krim.
Mënyra se si është e ndërtuar Maqedonia përherë për shqiptarët rrezikon që të prodhojë “Gruevskë” të rinj, prandaj shqiptarët duhet të bashkohen e të angazhohen për ta ndryshuar atë. Është e domosdoshme që në këto momente të dëgjohet zëri i të papërfaqësuarve shqiptarë, jashtë klientelave të kapura e të kontrolluara prej Gruevskit e Mijallkovit.
Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova duhet të njësojnë politikat diplomatike, ato të sigurisë e të mbrojtjes me synim ruajtjen dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së shqiptarëve në Maqedoni. Ky njësim politikash duhet të iniciohet, të sanksionohet e të mbikëqyret prej dy Kuvendeve.
18 maj 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!