Miliarda për përmirësimin e mbrojtjes së klimës

klimaDy ditë u përgatit në Berlin konferenca e OKB-së për mbrojtjen e klimës, e cila do të mbahet në fund të vitit në Paris. Në fund kancelarja premtoi më shumë mbështetje financiare për vendet në zhvillim.

Me elikën në majë të një kulle të Eifelit të vendosur para portës së Brandenburgut në Berlin Greenpeace demonstron për kthesën energjetike në botë pa atom dhe pa qymyr. Organizata e mjedisit ka zgjedhur kullën e Eifeit, sepse në fund të vitit në Paris do të mbahet konferenca botërore e klimës. Se çfarë mund dhe duhet të vendoset atje, për këtë ka mendime të ndryshme. Se sa të ndryshme janë ato e tregon „dialogu i 6-të i Petersbergut për klimën“.

Dy ditë debatuan 37 ministra nga të gjitha vendet e botës në një takim jozyrtar në Berlin. Vendet industriale, vendet me ekonomi në ekspansion dhe vendet në zhvillim janë në parim dakord, se ngrohja e Tokës me dy gradë – matur nga temperaturat mesatare në fillim të industrializimit – duhet të kufizohet. Ekziston vullneti politik për të arritur suksesin, thanë në fund ministrja gjermane e Mjedisit, Barbara Hendricks, dhe ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius. Por kush duhet të vetëmohohet më shumë, për të arritur këtë ojektiv? Kujt i bie pjesa më e madhe e përgjegjësisë? Kush duhe të paguajë për mbrojtjen e klimës?

Merkel dhe Hollande duan përgjegjësi

Pyetje, të cilave u duhen dhënë përgjigje në mënyrë unanime, sepse një marrëveshje e re për klimën në botë mund të hyjë në fuqi, vetëm nëse nënshkruhet nga të gjitha 195 shtetet. Në vitin 2009, në konferencën e klimës në Kopenhagë gjërat shkuan huq, konferenca përfundoi me grindje. Një katastrofë për mbrojtjen e klimës, gjë që nuk duhet të përsëritet në Paris. Franca dhe Gjermania duan që konferenca e ardhshme e klimës të jetë e suksesshme. Prandaj presidenti francez Francois Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel erdhën vetë personalisht në „dialogun pe Petersbergut ër klimën”.

“Detyra jonë është që të dalim me sukses“, tha Hollande në Berlin. “Ne mund t’ia dalim që Parisi të jetë një sukses”, tha me optimizëm kancelarja. Çmimet për parqet eulike dhe ato diellore kanë rënë shumë në gjithë botën, duke i bërë të përballueshme energjitë e ripërtëritshme. Megjithatë mbetet pyetja, se si do ta gjejë bota rrugën drejt një zhvillimi pa emisione. Shkencëtarët kanë llogaritur, se ekonomia në mbarë botën që nga mesi i shekullit duhet të punojë kryesisht pa emetime të dioskidit të karbonit, që të mund të arrijë objektivin me dy gradët deri në fund të shekullit.

Shumë emisione

Ende emetimi i gazrave të dëmshme serë është shumë më i lartë se objektivi i synuar. Deri në verë secili shtet duhet të paraqesë objektiva kombëtare ambicioze për mbrojtjen e klimës. Zyrtarisht 40 vende, në mesin e tyre dhe shtetet e BE, i kanë përcaktuar planet e tyre, të cilat do të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme globale. Kina dhe Japonia duan t’i prezantojnë planet e tyre muajin e ardhshëm, Brazili në gusht.

Shtetet anëtare të BE duan t’i pakësojnë emetimet e gazrave të efektit serë deri në vitin 2030 së paku 40 përqind në krahasim me vitin 1990. Për këtë arsye pjesa e energjisë së rinovueshme duhet të rritet së paku 27 përqind. Në të njëjtën kohë efikasiteti i energjisë duhet të rritet po ashtu me 27 për qind. Megjithatë këto synime janë së paku baza e kontributit të Bashkimit Europian për marrëveshjen ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës, deklaroi Merkel. Fjala ”së paku” mban në çdo rast një derë çelur, që në dritën e negociatave ndërkombëtare të mendohet edhe një herë, nëse jemi në gjendje që të shkojmë më tej se objektivat e BE.”

Pa ambicie nuk ka sukses

Ambicia e Gjemanisë është, që në vitin 2020 t’i ulë emisionet me 40%. “Deri në vitin 2050 ne duam të arrijmë 80 deri 95 përqind”, premton Merkel. Një qëllim ambicioz, zbatimi i të cilit është i shoqëruar me shumë pikëpyetje. Këtë e pranon hapur edhe kancelarja. “Ne punojmë shumë për ta zbatuar, sepse nuk e kemi arritur ende objektivin. Ne duhet që vazhdimisht ta realizojmë, që t’i vendosim nën një strehë të përbashkët performancën ekonomike dhe kontributin ambicioz për klimën.“

Por jo vetëm Gjermania e ka këtë problem dhe Merkel e di se kontributet kombëtare për reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit të paraqitura deri tani nga Gjermania, nuk do të jenë të mjaftueshme. „Ne do ta përjetojmë në Paris, se nevojitet angazhim edhe më i madh, nga ky që kemi arritur sot në këtë tryezë.” Kancelarja dhe presidenti francez duan që në Paris të bihet dakord për një reduktim të gazrave të efektit serë së paku 60 përqind në krahasim me vitin 2010.

Ku mbeten miliardat e premtuara?

Shumë, sidomos vendet e varfëra do ta pranojnë marrëveshjen për mbrojtjen e klimës, vetëm nëse marrin mbështetje financiare. Vendet e industrializuara kanë premtuar 100 miliardë dollarë amerikanë në vit. Është me rëndësi për krijimin e besimit, që më në fund të arrijë diçka në vendet në fjalë, theksoi Angela Merkel.

“Nëse ne nuk arrijmë që të merremi vesh për financimin, nuk do të ketë marrëveshje në Paris”, profetizon presidenti francez Hollande. Gjermania do të ecë përpara me shembullin e saj dhe të kontribuojë me një pjesë të madhe për financimin e objektivave për mbrojtjen e klimës në botë. Merkel njoftoi se deri në vitin 2002 do të japë dyfishin e kontributit të vitit 2014 për financimin e klimës në botë. Kjo do të korrespondojë me një rritje vjetore nga dy në katër miliardë euro.

Kësaj i shtohet edhe dyfishimi i kredive të bankës shtetërore KfW në tre miliardë euro nga 1,5 miliardë euro, që ishin së fundi. “Gjermania do ta mbajë premtimin e saj dhe ne do të marrim përsipër një pjesë të mirë”, thekson Merkel.

Kancelarja e klimës Merkel?

Kancelarja ka kontribuar edhe që tema e mbrojtjes së klimës të jetë fare lart në agjendën e takimit të G7 nën presidencën gjermane në fillim të qershorit. Kjo fillimisht nuk ishte parashikuar, të paktën jo në një vend të tillë qendror. Organizata për mbrojtjen e ambjentit Greenpeace është pak e impresionuar prej kësaj. Gjermania duhet të tregojë më shumë angazhim dhe të dalë përpara me shembullin e mirë. Sikur në Gjermani të mbyllen 35 termocentralet e vjetra me qymyrguri, Gjermania mund të kursente çdo vit 70 milionë tonë emetime CO2. Kancelarja Angela Merkel duhet të jetë e qartë dhe të vendosë, nëse do të hyjë në librat e historisë si kancelarja e klimës, apo kancelarja e qymyrit. (dw)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>