Kufiri detar, “Der Standard”: Greqia mund të përdorë veton për hapjen e bisedimeve

der standard“Serbia nuk është problem për Shqipërinë, Greqia po”. Me këtë fjali, gazeta austriake “Der Standard”, nis një analizë të gjatë të marrëdhënieve dhe tensioneve mes dy vendeve për çështjen e kufirit detar.

Në artikull, e përditëshmja austriake citon deklaratën e kryeministri Edi Rama dhënë në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun serb, Aleksandër Vuçiç. Rama u pyet në këtë konferencë mbi çështjen e kufirit detar me Greqinë.

“Ne nuk do të negociojmë interesin kombëtar për hir të fqinjësisë së mirë”- ishte përgjigja e Ramës.

Shqipëria është një vend kandidat për anëtar në Bashkimin Europian dhe duke analizuar përgjigjen e Ramës, “Der Standard” thotë se me siguri ajo nuk do të pritej mirë në Athinë. Reagimi i Ministrisë së Jashtme greke mbërriti menjëherë.

“Udhëheqësit politikë në fqinjin tonë po rrëshkasin nga shinat çdo ditë e më shumë. Rikthimi te logjika dhe ligjet ndërkombëtare është rruga më e mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë”- do të deklaronte Ministria e Jashtme greke përmes zëdhënësit të saj, Konstandinos Koutras.

Pikërisht pjesa e fundit interpretohet prej gazetës austriake si kërcënim i Athinës për të vendosur veton për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“Është një paralajmërim, paralajmërim që lë të kuptohet se Greqia mund të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ashtu siç po bën me Maqedoninë”- shkruan “Der Standard”.

Gazeta austriake kujton se edhe në vitin 2014 Greqia ngurroi në dhënien e statusit të vendit kandidat, ndaj shqetësimet për bllokim të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit janë me vend në Tiranë.

“Der Standard” kujton marrëveshjen e 2009-ës mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e saj. Përveç çështjes së kufirit detar, gazeta austriake ndalet edhe tek çështja çame, që për Greqinë quhet e mbyllur, por jo për komunitetin e çamëve që jetojnë në Shqipëri.

Gazeta austriake mbyll shkrimin me një analizë të marrëdhënieve në rajon dhe mundësisë që Greqia të bllokojë Shqipërinë, ashtu siç bën me Maqedoninë në NATO dhe shumë ekspertë mendojnë se Athina mban një peshë të mirë të përgjegjësisë në rritjen e autoritarizmit dhe nacionalizmit në Shkup.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>