Hahn vjen në Shkup me planin e zgjidhjes së krizës

Bashkimi Evropian do të kërkojë zgjidhje urgjente për dalje nga kriza politike në Maqedoni.

Eurokomisioneri për zgjerim Johannes Hahn nesër do të kërkojë që palët e përfshira në bisedime të arrijnë një marrëveshje për ecurinë e negociatave dhe gjetjen e një kompromisi, informon INA.

Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijancic deklaroi sot se eurokomisioneri Hahn nesër në Shkup do të kërkojë zgjidhje urgjente të krizës politike.

“Komisioneri do të theksojë nevojën që partitë të zgjidhin urgjentisht krizën aktuale si dhe nevojën për adresimin e sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet vendi. Nuk do të spekuloja, nuk mendoj se kjo do të ishte e dobishme në këtë situate. Ajo që mund të them është se Komisioneri do të theksojë nevojën e zgjidhjes sa më të shpejtë të krizës aktuale dhe në këtë kontekst duhet të shihet vizita e tij”, deklaroi Kocijancic, e cila është zëdhënëse e eurokomisionerit për zgjerim, Johannes Hahn.

Disa nga mediat kanë theksuar se Hahn do të jap oferta konkrete dhe joshëse për Shkupin për të përshpejtuar dhënien e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe benefite të tjera për Maqedoninë.  Por gjithçka do të jetë në fokus rreth aferës për përgjimeve dhe skandaleve të tjera korruptive dhe kriminale të Qeverisë Gruevski. Akoma nuk dihet se cila do të jetë oferta për Gruevskin dhe se sa do të arrihet një fleksibilitet për të tejkaluar krizën përmes një qeverie kalimtare. Kryeministri Gruevski para ardhjes së Hahn ka deklaruar se nuk heq dorë nga posti i tij dhe se qeveritë e reja mund të formohen vetëm përmes zgjedhjeve.

Një nga propozimet e lansuara nëpër media është një qeveri kalimtare me një kryeministër nga VMRO-DPMNE. Por edhe opsioni për mbetjen e qeverisë me kryeministrin Gruevski, por me një përbërje më të zgjeruar, ndërsa nga ana tjetër të formohet një komision anketues në kuadër të Parlamentit, i cili do të zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kërkesat e opozitës, siç janë zgjidhja gjyqësore e aferës së përgjimeve, ndryshimet në institucionet gjyqësore, ndryshime në udhëheqësinë e RTVM, përgaditja e zgjedhjeve nga një qeveri teknike dhe kërkesa të tjera për reforma.

Por, në kuadër të takimit edhe dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH kanë paralajmëruar se do të bëjnë kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me avancimin e çështjeve të shqiptarëve, sidomos implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>