Tensione të reja në Republikën e Moldavisë

Në Veri të Republikës së Moldavisë është parashikuar të mbahet një referendum për më shumë autonomi. Kjo inisiativë simbolizon tendencat separatiste në rritje dhe tensionet e reja në raportin e Moldavisë me Rusinë.

MoldaviaNë 1 nëntor të këtij viti, qytetarët e Balti-t, qytetit të dytë për nga madhësia të Moldavisë do të marrin pjesë në një referendum për më shumë autonomi. Këtë e vendosi Këshilli i Qytetit, dy të tretat e të cilit përbëhen nga përfaqësues të Partisë komuniste proruse. Shumica e popullatës së qytetit e ka rusishten gjuhë amëtare.

Lajmërimi në dukje joproblematik i autoriteteve të qytetit ngërthen në vetvete lëndë shpërthyese politike. Presidenti i Parlamentit të Moldavisë, Andrian Candu e vlerësoi këtë projekt si “rrezik për unitetin shtetëror”. Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit të Sigurisë që të ndërmarrin hapat e nevojshme, për të “ruajtur interesat” e vendit. “Kemi të bëjmë shumë qartë me një provokim kundër unitetit të shtetit”, mendon edhe politilogu Dionis Cenusa për inisiativën në Balti. Këto tendenca separatiste dëshmojnë dobësinë e qeverisë moldave, shtoi ai.

Simpati me separatistët

Ky konflikt ka ngjashmëri të pabesueshme me konflikte të mëparshme në Republikën e Moldavisë. Që në shkurt 2014 banorët e rajonit autonom të Gaugazisë votuan me shumicë të madhe (98,4 %) për bashkimin doganor me Rusinë. I ashtuquajturi referendum u dënua atëherë nga qeveria qendrore. Sepse në bazë të kushtetutës moldave, një referendum lokal mund të propozohet dhe kryhet vetëm nga autoritetet në Çisinau. Por Këshilli i Qytetit të Baltit e injoroi qeverinë qendrore moldave. Që në pranverë 2012 në qytet u zëvendësua flamuri i Republikës së Moldavisë (blu-i verdhë-i kuq) me një flamur vetjak – kuq e blu. Prokuroria nisi atëherë hetime, por të cilat deri sot nuk kanë përfunduar.

Premtime të vagullta nga Brukseli

Në një pozicionim të parë për referendumin e shpallur, kryeministri i Moldavisë Chiril Gaburici reagoi i shpenguar: “Njerëzit mund të bëjnë atë që duan!” tha ai. Më vonë ai megjithatë shtoi se drejtësia do ta verifikojë ligjshmërinë e kësaj inisiative lokale.

Paralelisht me këtë zhvillim ka tensione të reja në marrëdhëniet me Rusinë. Kështu Moska ua ndaloi në maj 20 shtetasve moldavë, kryesisht punëtorë migrantë, hyrje në Rusi, njëmbëdhjetë moldavas të tjerë u kthyen me detyrim në atdhe. NGO-të në Moldavi besojnë se Rusia dëshiron “ta ndëshkojë” Moldavinë për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me BE. Në Rusi punojnë në bazë të shifrave zyrtare rreth 400.000 moldavë, në të gjithë Evropën janë mbi një milion vetë. Vetëm remitancat e moldavëve nga Federata Ruse vitin e kaluar ishin të barabarta me 60 përqind të të gjitha pagesave nga bota e jashtme – që kapën shumën 1,5 miliardë dollarë.

Në tregun mediatik, për shkak të “raportimit të njëanshëm” në konfliktin e Ukrainës, autoritetet mbikqyrëse mediatike në Çisinau i hoqën licensën e transmetimit kanalit televiziv rus Rossija 24. Stacione të tjera ruse u ndëshkuan me gjoba.

Presion nga Moska

Rusia është e zemëruar, sepse Moldavia ua ka refuzuar disa ushtarakëve rusë kalimin tranzit në rajonin separatist të Transnistrisë. Në Transnistri janë të stacionuar mbi 2000 ushtarë rusë.

Dhe në 29 maj në aeroportin e Çisinaut arrestuan një oficer nga Pellgu i Donjeckut, i cili në bazë të të dhënave të tij donte të rekrutonte në Transnistri luftëtarë vullnetarë. Këta do të shkaktonin pastaj në qytetin ukrainas Odesa “trazira të qëllimshme”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës. Shefi i autoriteteve ukrainase të kufirit, Viktor Nazarenko konfirmoi se në kufirin lindor të Republikës së Moldavisë në pjesën midis Transnistrisë dhe Moldavisë duhet llogaritur rrezik i shtuar ushtarak.

Në këtë sfond, shumë moldavas pyesin nëse duhet të vazhdojnë t’u besojnë ende premtimeve të turbullta të BE. Sepse Brukseli e inkurajon Çisinaun të vazhdojë kursin proevropian, pa i bërë vendit një premtim konkret për anëtarësim. Dhe takimi i fundit i nivelit të lartë në Riga nuk i eleminoi dyshimet: konfrontimi në rritje midis BE dhe Rusisë duket se do ta spostojë gjithnjë e më në sfond “partneritetin lindor” të lëvduar kaq shumë. Për pakënaqësinë e madhe të atyre forcave politike dhe shoqërisë civile në Moldavi, të cilat duan t’i përmbahen edhe më tej kursit proevropian të vendit të tyre.. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>