Serbi: Rasti Bytyçi – “fakte të reja”, apo lojë politike?

Zyrtarët serbë flasin për “dëshmi të reja” lidhur me vrasjen e tre shtetasve amerikan me prejardhje shqiptare në vitin 1999. Veprimtarët humanitar druajnë se kjo është lojë në funksion të vizitës së kryeministrit serb në SHBA.

Familja BytyciMinistri serb i punëve të brendshme Nebojsha Stefanoviç, tha se është shënuar përparim në procesin e ndriçimit të vrasjes së tre shtetasve amerikan me prejardhje nga Kosova në vitin 1999.

Këto pohime u bënë vetëm tri ditë pasi që kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka kërkuar nga shefi i Komisionit për hetimin e vrasjes së gazetarëve, Veran Matiç, të përfshihet në hetimet që kanë të bëjnë me vrasjen e tre shtetasve amerikan.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në përfundim të luftës në Kosovë, ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Ministri serb tha se ka fakte të reja që dëshmojnë se kishte më shumë njerëz në vendin ku është kryer krimi dhe se ato fakte janë mbledhur nëpërmjet  hetimit të telefonisë celulare.

Pjesa e parë e hetimeve është bërë shumë keq dhe janë lënë anash dëshmi thelbësore. Sot kemi disa dëshmi të reja”, tha ai duke nënvizuar se nuk është as ekspertiza e armëve që ishin përdorur në vitin 1999 nga disa të dyshuar.

Çështja i riaktualizua në Serbi në prag të vizitës së sotme të kryeministrit serb në Washington, i cili tha se rasti i vëllezërve Bytyçi është një nga “çështjet e hapura që vazhdon të rëndojë marrëdhëniet amerikano-serbe”.

Në tetor të vitit 2013, ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Michael Grimm paraqitën në Kongres një rezolutë me të cilën kërkohej që Beogradi të ndjekë autorët e vrasjes, duke nënvizuar se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Që nga viti 2006, janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Byrtyçi  ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Një nga avokatët e familjes Bytyçi, Praveen Madhiraju, reagoi të martën ndaj pohimeve serbe për zbulimin e fakteve të reja.

Dje u themelua një komision, sot fakte reja? Çfarë lajthitjeje do të ndodhe nesër? Kryeministri Vuçiç nuk mund t’i ikë përgjegjësisë thelbësore dhe aktive në pengimin e hetimeve të besueshme. Duke mbrojtur Goran Radosavljeviçin dhe duke lejuar një mjedis helmues për dëshmitarët, asnjë masë dëshmish nuk mund të tejkalojë sfidat e këtij rasti. Hetime të reja e të besueshme duhet të cohën përpara dhe zyrtarët amerikan nuk duhet të mashtrohen duke menduar se ky është përparimi i premtuar nga kryeministri Vuçiç”, shkruan ai duke ngritur tri çështje që kërkojnë përgjigje: “Nëse këto dëshmi janë aq të rëndësishme, përse duhet një komision. Çfarë mund të shtojë një komision jo shtetëror i drejtuar nga një gazetar?  Këto dëshmi qartazi nuk janë gjetur dje, përse janë shpallur dje përveçse për të siguruar një mbulesë politike?  Përse nuk krijohet një mjedis i sigurt për dëshmitarët, në vend se të sigurohet ai mjedis për Goran Radosavleviçin?”

Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, shkruan se dëshmitë flasin që vrasja e vëllezërve Bytyçi është urdhëruar nga qarqe të larta të qeverisë jugosllave dhe nëpërmjet Goran  Radosavleviçit, i njohur me nofkën Guri, një ish gjeneral i policisë serbe. Aktualisht ai është në Këshillin Drejtues të Partisë Përparimtare serbe të kryeministrit Vuçiç.

Edhe organizata Human Rights Watch, kërkoi nga Shtetet e Bashkuara që të kërkojnë nga Serbia hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke vënë theksin tek vrasja e vëllezërve Bytyçi. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>