Gjenerali John Allen, i dërguar i posaçëm amerikan për koalicionin kundër ISIS-it po qëndron në Kosovë në kuadër të një turneu në rajon
I dërguari i posaçëm presidencial i Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global në luftën kundër Shtetit Islamik, gjenerali John Allen, po qëndron në Kosovë në kuadër të një rrugëtimi edhe në disa shtete të tjera të rajonit.
Gjenerali Allen është emëruar në këtë post në shtator të vitit të kaluar, “për të ndihmuar ndërtimin dhe funksionimin e koalicionit në përpjekje për të luftuar dhe shkatërruar Shtetin Islamik.”
Kosova është përballur me sfidën e pengimit të përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Sipas një studimi të qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, i publikuar ditë më parë, deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar, që përbën një numër të madh në krahasim me popullatën e saj të përgjithshme. Deri tash rreth 30 veta kanë humbur jetën në ato luftëra. Më 26 maj, ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se aktualisht atje mund të jenë rreth 50 shtetas të Kosovës.
Në muajin mars, parlamenti i Kosovës me 60 vota për dhe 17 kundër miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.
I dërguari amerikan shkoi në Kosovë nga Doha e Katarit ku foli në Forumin mes Shteteve të Bashkuara dhe Botës Islame.
“Kjo do të jetë një fushatë e gjatë. Disa aspekte të saj si mposhtja e ideologjisë së ISIS-it mund të zgjasin për një brez të tërë, ose më shumë, por ne duhet ta pranojmë këtë sfidë”.
Ai tha se një vëmendje e veçantë u është kushtuar përpjekjeve për të bllokuar qasjen e rrjeteve terroriste në sistemin financiar global. Tani vendet partnere në luftë kundër ISIS-it, tha ai, kanë një ide shumë më të qartë mbi operacionet financiare dhe aktivitetin e biznesit të Shtetit Islamik.
Gjenerali shtoi se lufta kundër një ideologjie dhe organizate terroriste duhet shoqëruar me një aspekt njerëzor, në reagimin ndaj rekrutëve të ISIS:
“Burgimi për një periudhë të gjatë nuk mund të jetë zgjidhja e vetme për ata që kthehen nga fushë-beteja. Mendoj se duhet të përpiqemi të jemi një koalicion shtetesh që veprojnë me humanizëm, sidomos duke pasur parasysh suksesin që kanë arritur disa vende partnere me këtë metodë. Premtimi për rehabilitim dhe ri-integrim duhet studiuar dhe vënë në zbatim”.
Gjenerali Allen pas Kosovës do të qëndroj edhe në Mal të Zi, Bosnjë, Kroaci dhe Itali, për diskutime mbi bashkërendimin e përpjekjeve kundër Shtetit Islamik.
Ish-drejtori i CIA-s James Woolsey, aktualisht kryetar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive është shprehur kritik ndaj fushatës së deritanishme të administratës kundër ISIS.
“Për sa i përket strategjisë në përgjigje të Shtetit Islamik, nuk mendoj se Presidenti Obama ka strategji. Nuk kam parë gjë. Nuk është dëshmuar në ndonjë formë të perceptueshme. Ndoshta do të dalë në dukje së shpejti dhe do të mësojmë se për çfarë strategjie bëhet fjalë”.
Shtetet e Bashkuara filluan vjet në gusht një fushatë ajrore kundër ISIS në Irak dhe në shtator e zgjeruan fushatën edhe kundër bazave të grupit në Siri. Ato sulme i kanë ndihmuar forcat pro qeveritare që të rimarrin disa zona, por militantët kanë vazhduar përparimet, përfshirë edhe pushtimin muajin e kaluar të Ramadit, një qytet i rëndësishëm në perëndim të Irakut.
Zëvendës Sekretari i Shtetit Blinken tha dje në Paris se me gjithë disa humbje, kombinimi i fushatës ajrore me stërvitjen, pajisjen dhe mbështetjen e forcave lokale është “strategjia drejt fitores”. (voa)