Turqia pas zgjedhjeve

turqia pas zgjedhjeveKryeministri turk Ahmet Davutoglu i paraqiti zyrtarisht dorëheqjen presidentit pasi partia në pushtet humbi shumicën në parlamentin e Turqisë për herë të parë në 13 vjet.  Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ose AKP pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e përgjithshme të së djelës dhe do t’i duhet të kërkojë koalicion me partitë më të vogla.

Kryeministri u takua me presidentin Recep Tayyip Erdogan në Ankara për të dorëzuar dorëheqjen. Në një deklaratë zyrtare thuhet se presidenti pranoi dorëheqjen e zotit Davutoglu dhe se kryeministri do të qëndrojë në post deri në formimin e një qeverie të re. Por presidenti turk nuk foli në publik.

“Kanë kaluar dy ditë, besoj se ora po ikën. Ky është një vlerësim i rëndësishëm. Nuk jemi mësuar me këtë. Presidenti ynë flet shpesh dhe fjalimet e tij transmetohen gjithmonë në televizion. Duket sikur kemi rënë në greminë”, thotë Deniz Zeyrek, redaktor i gazetës Hurriyet.

Kryeministri Davutoglu do të përpiqet të formojë një koalicion qeveritar dhe partia Lëvizja Nacionaliste e krahut të djathtë shihet si një partner i mundshëm. Drejtuesit e partisë kanë kritikuar ambicjet e zotit Erdogan për presidencë ekzekutive, në kundështrim me kushtetutën e Turqisë. Disa ish aleatë të presidentit kanë kritikuar deklaratat e tij para-zgjedhore ku promovohej partia që ai ndihmoi të themelonte në vitin 2001.

“Kushtetuta thekson paanshmërinë. Betimi që bën presidenti thekson gjithashtu paanshmërinë. Kështu që disa nga votuesit reaguan kundër mbështetjes së presidentit për një parti dhe retorikën kundër partive të tjera”, thotë Abdullatif Sener, anëtar themelues i partisë AK dhe ish-mik i Erdoganit.

Udhëheqësit opozitarë që tani mund të hyjnë në koalicion me qeverinë e kanë bërë të qartë se nuk do të tolerojnë ndërhyrje nga zoti Erdogan.

Shtetet e Bashkuara thanë të martën se janë gati të bashkëpunojnë me qeverinë e ardhshme të Turqisë.

“Turqia është një aleate e Natos dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin tonë politik, ekonomik dhe të sigurisë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar përpjekjet e Turqisë për të bllokuar fluksin e luftëtarëve të huaj që kalojnë kufirin për t’u bashkuar me Shtetin Islamik në Irak dhe Siri duke i bërë thirrje Ankarasë të bëjë më shumë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>