Vetëm 24 orë nga medalja e argjendtë e fituar në 800 metra me kohën 2:02:36, Luiza Gega, ka shkruar emrin e saj me të arta në garën e saj të preferuar.
Ditën e djeshme mes 14 konkurrentëve, Gega, do të mbante lart flamurin kuqezi siç pritej teksa u kurorëzua kampione e Lojërave Europiane njëherësh duke fituar edhe medaljen e artë e para për Shqipërinë në këtë event.
Koha e realizuar nga atletja shqiptare ishte 4:11:58 pas një gare të fortë. Falë këtij triumfi, 26-vjeçarja kontribuoi edhe me 14 pikë (maksimalet) në renditjen e përgjithshme epikore.
Kujtojmë datën 21 qershor, e cila rezultoi një ditë e suksesshme për Shqipërinë olimpike. Flamurin kuqezi e nderuan me dy medaljet e para të Olimpiadës Europiane të Bakut 2 atletë, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj.
Dy garuesit shqiptarë shkëlqyen në disiplinat e ndryshme të mbretëreshës së sporteve, atletikës duke koleksionuar dy vende të dyta, çka përkthehen në dy medalje argjendi.
22-vjeçari nga Shkodra, Izmir Smajlaj ai që arriti të garojë deri në fund për medaljen e artë në hedhjen së gjati, por distanca e tij më e gjatë 7 metra e 52 cm ishte 12 cm larg performancës më të mirë të pasdites që u dhurua nga gjeorgjiani Khorava.
Dy sukseset e arritura në pistën e atletikës e zhvendosin Shqipërinë në vendin e 35 në tabelën e vendeve me medalje, po aq sa edhe Maqedonia.
/Shekulli Online/