Negociatat mbi programin bërthamor të Iranit synojnë të çojnë më tej përparimin e shënuar me marrëveshjen e prillit që përqëndrohej tek infrastruktura që nevojitet për prodhimin e plutoniumut dhe për pasurimin e uraniumit – dy komponentë kryesorë për prodhimin e armëve bërthamore.
Për të kuptuar këto elementë dhe rëndësinë e tyre, mjafton të analizojmë një bombë atomike. Thërrmijat e lira të atomit – neutronet – përplasen me atome të uraniumit apo plutoniumit në zemrën e bombës, duke sjellë shpërbërjen e atomeve, një proces që çliron energji shumë të madhe.
Por kjo nuk realizohet nga uraniumi i zakontë.
Prodhimi i uraniumit të kategorisë atomike
Elementët radioaktivë ekzistojë në dy forma: izotope U235 dhe U238. Vetëm ato të tipit U235 shpërbëhen. Por ky izotop përfaqëson vetëm 1% të uraniumit që gjendet në natyrë. Për këtë arsye uraniumi pasurohet në centrifuga.
Fillimisht uraniumi shndërrohet në formë të gaztë që dërgohet në centrifuga që rrotullohen me shpejtësi tepër të madhe duke ndarë elementët më të rënda të izotopeve U238 nga më të lehtat U235.
Ky është vetëm hapi i parë, që realizon pasurim të ulët. Më pas uraniumi i tipit U235 dërgohet në një centrifuge tjetër për një nivel më të lartë pasurimi, më pas në një tjetër centrifugë… e kështu me radhë.
“Uraniumi i pasuruar në nivelin e kërkuar përdoret për të ushqyer me energji një reaktor bërthamor,” thotë ish-negociatori bërthamor Robert Einhorn. “Por nëse e pasuron afro 90%, mund ta përdorësh për të prodhuar bombën bërthamore”.
Në prill Irani ra dakord të ulë në 6000 numrin e centrifugave dhe se pasurimi do të kufizohej në rreth 5%. Po sipas marrëveshjes, Irani do të mbante rezerva prej jo më shumë se 300 kg me uranium të pasuruar në masë të ulët.
Marrëveshja kufizon gjithashtu kërkimet për centrifuga më të avancuara.
Plutonium
Marrëveshja e prillit kufizon edhe aktivitetin e Iranit për të prodhuar plutonium të kategorisë bërthamore.
Sipas dokumentit, Irani duhet të bëjë ndryshime inxhinierike në një impiant në mënyrë që ai të punojë me plutonium të thjeshtë, jo të pasuruar.
Uraniumi që gjendet në natyrë përmban izotopin U238 në masën 99%. Kur një neutron godet këtë formë uraniumi, atomi me neutronin transformohen në plutonium.
Ky reaktor me “ujë të rëndë” mund të prodhojë kimikate radioaktive që përdoren për të luftuar kancerin. Kur të përfundojnë ndryshimet inxhenierike, prodhimi i kimikateve do të vazhdojë, por do të kufizohet prodhimi i plutoniumit.
Plutoniumi që formohet në reaktor duhet më pas të ndahet nga pjesa tjetër e karburantit. Irani thotë se do t’i dërgojë këto sasi karburanti jashtë vendit për të eliminuar mundësinë që ky karburant të përdoret si material për bomba atomike. (voa)