Arresti kardiak ndodh kur zemra papritmas ndal rrahjet. Shumica e njerëzve që pësojnë një ndalje të tillë vdesin, por një komision i qeverisë amerikane sapo ka lëshuar rekomandime për të përmirësuar shanset e mbijetesës, njofton Carol Pearson e Zërit të Amerikës.
Kur zemra e dikujt ndalon së rrahuri, çdo sekondë është e rëndësishme.
Doktor Lance Becker i Komisionit IOM për Arrest Kardiak thotë:
“Një arrest kardiak ndodh ku rrahja mekanike e zemrës ndalon papritur dhe ky është rast urgjent, sepse vdekja ndodh nëse nuk ndërhyhet brenda pak minutave.”
Dr Lance Becker morri pjesë në komisionin që shqyrtoi procedurat e arrestit kardiak për Institutin Amerikan të Mjekësisë.
Arresti kardiak nuk është infarkt, edhe pse mund të çojë në një të tillë. Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës. Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse.
Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit. Për të përmirësuar shanset, Dr Becker thotë se grupi i studimit nxjorri rekomandime që përfshijnë spitalet, ndihmat e urgjencës dhe publikun.
“Gjëja më e rëndësishme për Amerikën është të ketë një sistem ndihme të plotë që mund të fillojë të jepet që në rrugë.”
Rekomandimet përfshijnë më shumë trejnime në mënyrë që qytetarët e thjeshtë të mund të ushtrojnë dhënien e frymëmarrjes artificiale për ta bërë zemrën të filloi përsëri të punojë. Ata gjithashtu mund të mësojnë të përdorin një defibrilator të jashtëm, pajisje që dërgon shok elektrik në zemër në përpjekje për ta kthyer në ritmin e saj normal.
Përveç kësaj, grupi i studimit dëshiron të krijojë një regjistër kombëtar për të vëzhguar punën, për të identifikuar problemet dhe për të ndjekur përparimin në trajtimin e arrestit kardiak.
“Këtu përfshihet i gjithë sistemi i kujdesit, që nga kapja e hershme e arrestit kardiak, frymëmarrja artificiale dhe dërgimi në kohë në spital dhembledhja e të dhënave për të parë nëse ka nevojë për të përmirësuar mënyrën e reagimit.”
Tani për tani vetëm rreth 3 për qind e amerikanëve kryejnë trajnim vjetor për frymëmarrje artificiale, ndërsa edhe më pak dinë se si të përdorin një defibrilator.
Dr Becker thotë se për shkak të rritjes së incidenteve te arrestit kardiak në vendet në zhvillim, si qeveritë dhe një grup ndërkombëtar mjekësor janë të interesuar për gjetjen e mënyrave për të siguruar kujdes më të mirë të pacientëve pas arrestit kardiak dhe për të shpëtuar jetën. (voa)