Viktorija Nuland, porosit autoritetet e Shkupit për zgjedhjen e menjëhershme të krizës së thellë politike, e cila po mbretëron prej disa muajsh në Maqedoni.
“Kriza politike e rëndoi punën e liderëve politikö këtu dhe ajo menjëherë duhet që të zgjidhet. SHBA është e kënaqur nga bashkëpunimi me BE-në, konkretisht me bashkëpunimin që kanë ambasadori Bejli dhe eurokomisari Han për t’i afruar qëndrimet e liderëve që Maqedonia të vazhdojë rrugën e integrimit euroatlantik, të sundimit të së drejtës dhe lirisë së mediave”, është shprehur ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Viktorija Nuland.
Gjithnjë sipas saj, para Maqedonisë është një mundësi e madhe për unitet dhe prosperitet, është anëtarësimi në NATO dhe BE.
“Partitë e mëdha politike duhet t’i ndëpresin zënkat dhe të nisin rrugën e reformave demokratike, ndërsa më pas të fokusohen në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pör emrin me Greqinë”, ka porositur diplomatja e lartë amerikane, Viktorija Nuland.
Gruevski: Me vlera evropiane do t’i zgjidhim problemet
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka vlerësuar lartë marrëdheniet midis Maqedonisë dhe SHBA-ve, duke premtuar vazhdimin e një bashkëpunimi të këtillë edhe në të ardhmen.
“Vlerat euroatlanatike janë udhëheqëse edhe në sfidat politike edhe në zgjidhje të problemeve në pajtueshmëri me rendin kushtetues dhe rregullat e demokracisë dhe sundimin e së drejtës,”është shpreh Gruevski…
Për BDI është e papranueshme vazhdimi i krizës
Në ambasadën amerikane në Shkup, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u prit në një takim nga ndihmës sekretarja e departamentit të shtetit amerikan, Viktorija Nuland, ndihmës sekretarja e mbrojtjes,Evelin Farkash dhe ambasadori Bejli. Kryetari Ahmeti dhe bashkëbiseduesit amerikan kanë biseduar për krizën politike në Maqedoni dhe mënyrat se si të tejkalohet ngërçi politik. SHBA mbeten partner dhe mbështetësi më i fuqishëm i integrimit euroatlantik të Maqedonisë ka thënë kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti.
“BDI ka informuar për aktivitetet që kanë ndërmarrë për mbajtjen e takimeve të liderëve, propozimet dhe iniciativat por edhe për hapat që planifikon të ndërmerr varësisht nga rezultatet e bisedimeve në ditët në vijim. BDI e vlerësoi si të papranueshëm vazhdimin e krizës politike sepse e gjithë shoqëria është në pritje të zgjidhjes dhe vazhdimin e rrugëtimit euroatlantik,”është shpreh Ali Ahmeti.
Opozita maqedone kërkon mbështetje të kërkesave të saj
Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, ka kërkuar nga diplomacia amerikane që të ndihmojë në tejkalimin e kësaj situate të zymtë politike që ka përfshirë Maqedoninë.
“Në takim është shprehur pajtueshmëri se janë të pashmangshme ndryshimet për funksionimin e institucioneve, gjyqësorit, mediave, si pjesë e procesit të ndërtimit të sistemit të partizuar shtetëror”, ka deklaruar lideri i social-demokratëve, Zoran Zaev..
Lideri i opozitës ka lënë të hapur mundësinë për të vazhduar negociatat në kuadër të takimeve të liderëve por vetëm me kusht që të ketë garanci të forta nga ndërkombëtarët për mbështjetjen e kërkesave të opozitës.
“Mes nesh dhe VMRO-DPMNE nuk mund të vazhdojnë negociatat .Megjithatë lëmë derën e hapur që në negociatat edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të mbështeten kërkesat tona për kthimin e institucioneve demokratike, lirisë dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike “, shprehet Zaev.
Pas qëndrimit të diplomatëve të lartë amerikan, në Shkup, Maqedoninë së shpejti do ta vizitojë edhe eurokomisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han. Ai do të tentojë në arritjen e një marrëveshje mes liderëve politik në vend me qëllim të merr fund kriza politike në Maqedoni. (dw)