Problemi i pronave është një peng për integrimin e vendit, por edhe një shqetësim që nuk duhet t’u lihet brezave që vijnë. U prezantua sot reforma për kthimin dhe kompensimin e pronës. I pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato.
Kjo e fundit theksoi se, ky ligj shënon një kthesë me rëndësi për çështjen e pronave. Ai parashikon shtyrjen me 6 muaj të afatit për aplikimet për pronësinë.
Qato tha se, për herë të parë qeveria merr përsipër faturën që shteti përballon për identifikimin e të gjitha vendimeve për kompensim. Fondi vjetor buxhetor i përcaktuar do të jetë me rritje progresive me një vlerë mesatare prej 5 miliardë lekësh në vit, me një shtrirje kohore 10-vjeçare.
Duke theksuar se çështja e pronës është një nga 5 prioritetet për të cilat Shqipëria po mbikëqyret nga BE, kryeministri ka thënë se, në këto dy vite kjo çështje ka hyrë në një fazë të re.
“Një nga 5 prioritet që jemi në vëzhgimin e BE-së është prona. Në 8 vite jo që nuk ndryshoi asgjë nga BE-ja, por më e keqja, gjendja e raporteve të pronësisë erdhi duke u bërë më katastrofike. Progres-raporti 2013 shkruan që duhet ndërmarrë një përpjekje madhore për të zgjidhur problemin e pronave. Rikthimi kompensimi dhe ndërtimet e paligjshme duhen zgjidhur. Çfarë vendi do t’u lëmë fëmijëve tanë, një vend në gjendje permanente konflikti civil dhe social, me trasenë që çel ky projekt. Që prej vitit 1993 janë marrë 26 mijë vendime për kompensim, sot janë 9300 që presion të shqyrtohen, në 2013 nuk kishte arkiv po thjesht një depo dosjesh të hedhura pa rend dhe pa inventar”, deklaroi Rama.
Rama theksoi se, zvarritja e kompensimit të pronave ishte edhe ndryshimet e shpeshta në ligj. Duke iu referuar ndryshimit 24 herë të ligjit të vitit 2004 për pronën, kreu i qeverisë theksoi se ka ndikuar edhe dhe korrupsioni i gjyqtarëve.
“Veprimi i strukturave të gjyqësorit si banda kriminale, që me forcën e çekiçit i ndanin pronat sipas oreksit me para në dorë. Sasia e titujve të pronësisë së falsifikuar është marramendëse dhe është bërë një hata e vërtetë. Shansi i kësaj qeverie që, për shkak të këtij seriozitet iu dha për të marrë masa konkrete, me qëllim një reformë serioze, të mundshme, reale, jo ligje që bënte PD-ja, që ishin për t’i shkelur syrin një grupi interesi elektoral, dhe nga ana tjetër për të shkelur nga të katër anët liritë dhe të drejtat e njerëzve”, deklaroi Rama.
Kryeministri siguroi se pronarët dhe shoqëria shqiptare do të marrë atë që u takon, duke theksuar se, “nuk mund të pretendosh të marrësh para për vitet që nuk është vendosur drejtësi. Kjo nuk është e drejtë për shoqërinë dhe as nuk është e mundur”.
Naço: Pakt kombëtar për çështjen e pronave
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, theksoi se duhet një pakt kombëtar, ku secili duhet të lëshojë diçka nga vetja, për të dhënë një zgjidhje.
“Duhet pakt kombëtar ku secili nga ne të lëshojë diçka nga vetja. Qeveria do lëshojë për kompensimin financiar, ne s’kemi ardhur të fshihemi, po të fillojmë këtë proces për të zgjidhur këtë problem me pasoja të rënda sociale. Të mos vazhdojmë më me metodën e viteve të shkuara. Kjo reformë vendos balancë mes interesit publik dhe pronarëve. Mazhoranca e ka bërë, do vërë në garanci 20fishin e fondit për një afat 20-vjeçar. Ne zgjodhëm që këto fonde t’i kalonim për të korrigjuar një gabim të së shkuarës”, theksoi ai.
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, theksoi se kjo reformë do t’i japë zgjidhje një problemi të zvarritur në këto 23 vite që veç të tjerash ka sjellë edhe shumë probleme sociale për shtresën e pronarëve.
“Është fakt që në këto 23 vjet kjo çështje është zvarritur dhe është futur në labirinte. Kjo mazhorancë i prezantoi Kuvendit një plan politik, ne premtuam se do t’i japim zgjidhje. Ne premtuam se pronarët do jenë pronarë të ligjshëm në pronat e tyre. Ne nuk nxituam, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nisi këtë proces në bazë të një plani konkret veprimi. Premtuam dhe realizuam një proces skanimi të plotë, krijuam regjistrin digjital. Analizë të plotë të kuadrit ligjor, identifikuam problemet e pronarëve që iu ishte premtuar se do ishin pronarë, por asnjëherë nuk kishin marrë zgjidhe. Zgjidhjet ishin provizore dhe asnjëherë vendimtare, duke e kaluar këtë panoramë vit më vit nga një qeveri tek tjetra. Gjatë këtij procesi ne morëm konsulta me ekspertë vendas dhe të huaj. Zgjidha do ketë ndikim për brezat që do vijnë. Ndaj duhet të jetë një zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë, si dhe e gjithëpranuar”, tha Naço.
/Shekulli Online/