Europa para një detyre brezash

Kriza e refugjatëve është gjithashtu një krizë e sistemit evropian të azilit. Berlini dhe Brukseli debatojnë për kursin e duhur.

emigrantet det“Ne kemi nevojë të shpejtë për një strategji të fortë evropiane,” tha Jean-Claude Juncker presidenti i Komisionit Europian. Asnjë shtet anëtar i BE-së nuk mund ta rregullojë i vetëm migrimin. Europa ka standardet më të larta për azil në botë. “Kjo është e sanksionuar në ligjet dhe marrëveshjet tona. Megjithatë, unë jam i shqetësuar se kjo është gjithmonë e më pak e ngulitur në zemrat tona!” Gjuha e urrejtjes dhe deklaratat e paarsyeshme e vënë në rrezik lirinë e udhëtimit në zonën Shengen tha Juncker për gazetën “Welt am Sonntag”.

Zëvendëskancelari gjerman Sigmar Gabriel dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, që të dy socialdemokratë shkruajnë për “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” se Europa po përballet me një “detyrë brezash” por “deri tani reagimet nuk përputhen me pretendimin që duhet të ketë Europa ndaj vetes.”

Kuotatpranimi refugjatësh për të gjithë anëtarët e BE-së

Sipas tyre e nevojshme është një shpërndarje e drejtë të refugjatëve. “Një situatë si e sotmja, ku vetëm disa shtete anëtare mbajnë gjithë përgjegjësinë, është po aq pak e pranueshme sa dhe një sistem që e shpërndan ngarkesën në mënyrë të njëanshme për vendet që gjenden në kufijtë e jashtëm të BE-së”, shkruajnë Gabriel dhe Steinmeier. Dy socialdemokratët kanë formuluar një plan dhjetëpikësh për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Sipas tyre nevojiten kritere të sakta, objektive dhe të kuptueshme për kuotat e pranimit për të gjitha shtetet anëtare në përputhje me performancën e tyre ekonomike.

Hezitim i padurueshëm

Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller, kritikoi të shtunën me forcë “hezitimin e padurueshëm të BE-së”. Ai i kërkoi përsëri Brukselit një program të menjëhershëm prej mbi dhjetë miliardë euro për të ngritur ndër të tjera qendra emergjente në vendet anëtare që përbëjnë kufijtë e jashtëm të BE-së. Komisioni Europian i hodhi poshtë akuzat për mosveprim. Propozimi i Müller qe diskutuar disa javë më parë në Bruksel, por ka edhe çështje teknike dhe ligjore të pasqaruara. BE-ja dhe shtetet anëtare kanë vënë tashmë rreth 3.7 miliardë euro në dispozicion për të ndihmuar viktimat e luftës civile në Siri.

Nga perspektiva e qeverisë gjermane përgjegjës për të garantuar standarde unike që kanë të bëjnë me refugjatët është Komisioni Europian. “Në Gjermani kemi standarde të arsyeshme, humanitare për strehimin, kujdes mjekësor, para xhepi dhe gjëra të tjera. Shumë vende të tjera të BE-së kanë standarde të ulëta. Strehime të denja duhet të vënë në dispozicion të gjitha vendet e BE-së, jo vetëm Gjermania,” tha ministri i Zhvillimit Müller. Edhe Gabrieli dhe Steinmeieri kërkojnë në shkrimin e tyre kushte më të mira për pranimin e refugjatëve në të gjithë Europën. Refugjatët që kanë fituar azilin në një nga shtetet anëtare, duhet ta gëzojnë këtë status në të gjithë BE-në, shkruajnë ata. Kurse atyre që nuk u pranohet kërkesa për azil duhet të kthehen në atdheun e tyre. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>