Në Gjermani duhet të biem dakord që shtetet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Kosovën, edhe Shqipërinë janë vende të sigurta origjine, thotë për DW ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier
DW: Zoti Steinmeier shumë refugjatë nga Siria vijnë përmes itinerarit Ballkanik, por në Gjermani vijnë edhe migrantë, azilkërkues nga shtetet e Ballkanit. Çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit që këta njerëz të mos largohen nga vendi i tyre?
Frank-Walter Steinmeier: Unë besoj ne duhet të bëjmë dy gjëra. Së pari ne duhet të na bëhet e qartë se si duhet të veprojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor që ndodhen në rrugën drejt BE-së. Sipas bindjes sime këto nuk mund të jenë vende prej të cilave njerëzit të vijnë në Gjermani për të gjetur mbrojtje. Ndaj besoj, se ne në Gjermani duhet të biem dakord, që shtetet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Kosovën, edhe Shqipërinë janë vende të sigurta origjine, ku ne mund t’i kthejmë njerëzit, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, ose njëkohësisht ne mund t’u tërheqim vëmendjen atyre qysh përpara udhëtimit, se nuk kanë asnjë shans për garantimin e azilit në Gjermani. Nga ana tjetër në Vjenë unë u kujtova shteteve të Ballkanit Perëndimor, se ato i kanë pranuar normat humanitare në shumë marrëveshje dhe si rjedhojë kanë pranuar përkatësisht edhe detyrimet që ato kanë. Një përkujdesje humanitare ndaj refugjatëve është detyrim. Megjithatë ne nuk duhet t’i lemë vetëm këto vende. Ndaj ne qysh përpara disa ditësh në nivel bilateral kemi vendosur, që ta mbështesim Greqinë me rreth 1,2 milionë Euro për përkujdesjen humanitare të refugjatëve. Po ashtu edhe Serbinë e Maqedoninë, sipas vendimit dje, i kemi mbështetur sërish me afro një milion. Unë shpresoj, që shtete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Bashkimi Europian ka marrë vendime të ngjashme.
Por ka edhe refugjatë lufte që nga vendi i BE-së Greqia shkojnë në Maqedoni e Serbi. Çfarë duhet të bëjë BE-ja për ta ndaluar këtë? Tek e fundit ky nuk është as qëllimi.
Jo, ky nuk është aspak qëllimi dhe ne bisedojmë intensivisht me Greqinë. Greqia tani nxjerr në pah faktin, se ajo nuk është hallka e parë, por tërheq vëmendjen ndaj Turqisë, e cila gjoja i shtyn në masë refugjatët sirianë drejt Greqisë. E shihni pra, që lëvizja e migracionit ose siç e quajnë disa të tjerë kriza e refugjatëve është kaq e madhe, se secili tregon me gisht drejt tjetrit, ndaj ne nuk mund t’i shmangemi faktit se konceptin e solidaritetit europian duhet ta ripërkufizojmë ose thënë më saktë, duhet ta përcaktojmë bashkarisht atë, për sa ka të bëjë me qëndrimin ndaj lëvizjes së refugjatëve. Në fakt unë besoj, se ne pavarësisht rezistencës nuk do të mund t’i shmangemi çështjes së një ndarjeje të drejtë europiane dhe përcaktimit të kuotave. Ne duhet të angazhohemi më fuqishëm në vendet e origjinës dhe në vendet kryesore të tranzitit. Ne duhet të ndihmojmë, të krijojmë atje kushte, në mënyrë që njerëzit të qendrojnë dhe të mos largohen nga atdheu i tyre. Shanset për rritje ekonomike, për vende pune – këto mund të arrihen vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë ekonomik. Së treti ne duhet të ndihmojmë, që të zgjidhim shkaqet thelbësore për lëvizjen e refugjatëve që janë krizat e konfliktet, luftrat civile në Afrikën e Veriut dhe në Siri.
Si mendoni lidhur me propozimin e ministrit të Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, që në këto shtete të krijohen zona mbrojtjeje për refugjatët. A mund të funksionojë kjo?
Ky nuk është një diskutim i ri. Ky diskutim zhvillohet me kryetituj të ndryshëm. Edhe OKB-ja ka bërë thirrje, që ne të krijojmë të ashtuqutur hotspots në vendet e tranzitit, qendra ku të regjistrohen dhe të qendrojnë fillimisht refugjatët. Nëse do të bëhet kjo dhe nëse do të arrihet në marrëveshje, me çfarë detyrash do të ngarkohen këto qendra, të gjitha këto janë të hapura.