Familjarët e të vrarëve në Kumanovë kanë kërkuar zbardhjen e rrethanave të vrasjes së të afërmve të tyre. Ata i janë drejtuar Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, të cilit i kërkojnë rezultatet e autopsisë. Këshilli është përgjigjur sot duke sqaruar se, autoritetet maqedonase (ekspertët mjeko-ligjorë), e kanë përfunduar autopsinë, mirëpo nuk ua kanë dorëzuar as familjarëve dhe as autoriteteve kosovare këto rezultate.
“Edhe në Kosovë ka përfunduar autopsia mirëpo, ende nuk janë bërë publike rezultatet e autopsisë të ekspertëve mjeko-ligjorë kosovarë, as u është dorëzuar familjarëve të viktimave një dëshmi për ekspertizën e përfunduar me rezultatet e saj. Në rrethana normale, kur profesionalizmi është përcaktues për rezultatet e autopsisë, nuk do të kishte fare dallim midis raporteve të autopsisë të ekspertë mjeko-ligjorë maqedonas dhe atyre kosovarë sepse ata do të bashkëpunonin gjatë tërë procesit”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së, transmeton “Telegrafi”.
Sipas komunikatës, janë autoritetet e Kosovës ato që duhet ta zbardhin autopsinë për palën e interesuar dhe jo të vazhdojnë ta mbajnë të fshehur atë. “Gjykimi i të arrestuarve dhe të akuzuarve në rastin e Kumanovës mund të sqarojë disa rrethana të vrasjeve, ndërsa vetëm raporti profesional i ekspertëve mjeko-ligjorë do ta zbardhte të vërtetën e vrasjes dhe rrethanat në të cilat janë vrarë. Autoritetet kosovare nuk kanë të drejtë pafundësisht ta mbajnë sekret raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë kosovarë të cilët e kanë përfunduar autopsinë por duhet t’i bëjnë publike këto rezultatet dhe nuk duhet të lejojnë që ato të politizohen”, vlerëson KMDLNJ.
Po ashtu, thuhet se autoritetet kosovare nuk janë të detyruara të presin palën maqedonase për bërjen publike të rezultateve të autopsisë, pasi e drejta për t’u informuar për fatin e familjarëve të vrarë në Kumanovë është e drejtë e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet. “Implikimet dhe komplikimet e mundshme midis dy shteteve për shkak të rezultateve të autopsisë nuk nënkupton se familjarët duhet të privohen nga e drejta për të siguruar informata për fatin e familjarëve të tyre. Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup duhet t’u dalë në ndihmë familjarëve duke iu siguruar informatat e duhura sikur që duhet të kërkojë sqarime për rrethanat e vrasjes së tyre aq më parë që ka dyshime kur, së paku 2-3 individë janë ekzekutuar pasi janë zënë robër. Mbase, kjo mund të jetë arsye e vonesës së bërjes publike të rezultateve të autopsisë. Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq ka mandat të hulumtojë dhe sigurojë informata se në çfarë rrethana kanë ndodhur vrasjet në Kumanovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
KMDLNJ thotë se do të kërkojë sqarime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Forensikës të Kosovës për rezultatet e autopsisë dhe arsyet pse këto rezultate nuk u janë dorëzuar familjarëve. Këshilli shprehet se, përkrah të drejtën e familjarëve që të sigurojnë raportin e autopsisë nga pala maqedonase dhe ajo kosovare.
Çfarë ndodhi në Kumanovë?
Më 9 maj 2015, në lagjen e Trimave në Kumanovë u vranë 5 shqiptarë dhe maqedonas dhe u plagosën 30 të tjerë. Policia maqedonase nisi një operacion pasi zbuloi dhe sulmoi një grup të armatosur, që ishte strehuar në disa shtëpi në lagjen e banuar me popullatë shqiptare dhe që sipas saj, planifikonte sulme terroriste në Maqedoni. Ambasadat e SHBA-ve, OSBE-së, BE-së dhe Ministria e Jashtme shqiptare dhe ajo e Kosovës bënin thirrje për qetësi, ndërsa analistët e argumentuan ngjarjen si një strategji të qeverisë së Nikolla Gruevskit për të zhvendosur vëmendjen nga situata e tensionuar politike dhe protestat e shumta të mbajtura në Shkup, pas publikimit të videopërgjimeve nga lideri i opozitës Zoran Zaev, në të cilat zbardhen të gjitha aferat kriminale të qeveritarëve.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë konfirmoi se ngjarja lidhej me një planifikim të një sulmi terrorist nga “një grup i madh terroristësh”, të cilët kishin pasur pasur në plan “të sulmonin institucionet e shtetit”. Pesë policë të vrarë dhe 30 të plagosur ishte pilanci i përplasjes së ndodhur të shtunën e 9 majit 2015 gjatë operacionit policor në Kumanovë. Shifra u konfirmua nga ministrja e Brendshme e asaj periudhe, Gordana Jankulovska, e cila dha dorëheqjen më vonë.
/Shekulli Online/