Një grup shkencëtarësh njoftuan sot se kanë zbuluar një paraardhës të hershëm të zhdukur të njeriut.
Studiuesit që botuan gjetjet e tyre në revistën eLIFE, e quajnë specien e re Homo naledi. Ata thanë se ka shumë mundësi që ai të ketë ecur me dy këmbë, ishte rreth 1.5 metra i gjatë dhe peshonte 45 kilogramë. Ata thanë gjithashtu se kjo specie i kishte duart dhe këmbët si njeriu, por se kafazi i kraharorit, shpatullat dhe legeni i tij ngjanin më shumë me ato të paraardhësve të hershëm sesa me ato të njeriut modern.
Zbulimi është rezultat i gjetjes së një koleksioni kockash në një pjesë të the të një shpelle në Djepin e Trashëgimisë Botërore të Njerëzimit, pranë Johanesburgut në Afrikën e Jugut.
Rreth 1,500 kockat e gjetura deri tani u përkasin të paktën 15 individëve, thanë studiuesit. Ata besojnë se Homo naledi u shfaq para 2.5 milionë deri në 2.8 milionë vjetëve, por kockat e gjetura mund të jenë të mëvonshme. Grupi i punës tha se përcaktimi i vjetërsisë së tyre është një nga sfidat e tyre të ardhshme.
Një tjetër paqartësi është se pse kockat ishin aq në thellësi të shpellës. Shkencëtarët hamendësojnë se qenie të gjalla mund të kenë vendosur atje trupat e të vdekurve, në një veprim që nuk haset shpesh mes tyre. (voa)