NASA njoftoi sot se ka zbuluar prova të forta për ekzistencën e burimeve me ujë të kripur në Mars. Agjencia Amerikane për Hapësirën, NASA e bëri njoftimin të hënën në një konferencë për shtyp.
Sipas zyrtarëve të NASA-s, shkencëtarët kishin zbuluar gjurmë të kripërave minerare të shkrira mbi sipërfaqen e planetit. Këto gjurmë, sipas shkencëtarëve, mund të krijohen vetëm në praninë e ujit në formë të lëngshme. Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm shkencor, pasi ku ka ujë në formë të lëngshme ka edhe jetë, së paku gjallesa mikroskopike.
Disa miliarda vjet më parë kur Marsi ishte një planet ende i ri, në sipërfaqen e tij kishte lumenj, liqene dhe oqeane. Shkencëtarët e kanë konfirmuar prej kohësh ekzistencën e ujit në formë të ngrirë në polet e planetit. Dhe tani ekzistenca e ujit në formë të lëngshme është një zbulim shumë i rëndësishëm për eksplorimet në hapësirë. (voa)