Kushtet e vështira të opozitës për dialog me qeverinë

kuvendi i ksPartitë në pushtet i bëjnë thirrje opozitës që të heq dorë nga bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës dhe t’i kthehet dialogut me shumicën si mjet për zgjidhjen e problemeve.

Ndërkohë që opozita vazhdon të tregohet e vendosur se do të bllokojë funksionimin e Kuvendit deri në, siç thuhet, tërheqjen e nënshkrimeve të kryeministrit Isa Mustafa nga Marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sjellja e opozitës është e papranueshme dhe jodemokratike.

Ai pret që pavarësisht kërcënimeve të opozitës, kryesia e Kuvendit të mblidhet dhe të thërras sa më shpejt mbledhjen e radhës ku Kuvendi do të vazhdojë me agjendën e vet të punës.

“Kjo formë që po e ndjek opozita është anti-demokratike. Nuk shkon në interes të procesit, i dobëson institucionet, e dobëson shtetin dhe i dëshpëron edhe miqtë tanë ndërkombëtar të cilët kanë investuar dhe janë duke na e dhënë një mbështetje të fuqishme. Prandaj, pres që Kuvendi i Kosovës duhet të procedojë tutje me punën”, ka thënë Grabovci.

Ndërkohë, nga tabori opozitar vijnë sinjale se nuk do të ketë tërheqje nga bllokada, përderisa kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të mos heqin dorë nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin dhe me Malin e Zi për demarkacionin.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partiaa Nisma për Kosovën, do të veprojnë bashkërisht për të mos lejuar punën e Kuvendit, deri në zhbërjen e këtyre marrëveshjeve.

“Qëndrimi i opozitës së bashkuar është i qartë që nuk mund të ketë vazhdim normal të punës së Kuvendit të Kosovës derisa Qeveria e Kosovës nuk deklarohet për tërheqjen e nënshkrimeve nga këto marrëveshje. Ne do t’i bllokojmë seancat e Kuvendit dhe do të kërkojmë nga qeveria të tërhiqet nga nënshkrimi i marrëveshjeve”, ka theksuar Molliqaj.

Në këso rrethana bllokade, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka ftuar pozitën dhe opozitën që të ulen dhe të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje.

Por, Dardan Molliqaj ka thënë se nuk mund të ketë dialog, përderisa qeveria dhe kryeministri të mos deklarohen publikisht se heqin dorë nga marrëveshjet e nënshkruara së fundit.

“Nuk na kanë ftuar para marrëveshjeve për të diskutuar. Janë marrë vesh me Serbinë dhe tash na ftojnë neve për të diskutuar se si të zhbllokohet Kuvendi. Por, ky diskutim nuk mund të ndodhë pa deklarimin publik, paraprak të qeverisë se tërhiqet nga marrëveshjet të cilat tashmë i ka nënshkruar”, ka deklaruar Molliqaj.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Adem Grabovci ka ftuar opozitën që të tërhiqet dhe të mos thirret në emër të votuesve dhe qytetarëve për të justifikuar bllokadën, pasi që përbën pakicën në Kuvend.

Tutje, ai ka lavdëruar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, i cili, sipas tij, përkundër sjelljes së opozitës, nuk ka lejuar që gjendja të dalë jashtë kontrollit, duke i dhënë rast dialogut si mjet për zgjidhen e çështjes së bllokadës.

“Kryetari ka dhënë një provim të jashtëzakonshëm para të gjithë qytetarëve dhe ka dëshmuar se ne jemi të përcaktuar që të gjejmë gjuhën e përbashkët, t’i japim rëndësi dialogut dhe të përjashtojmë çdo mundësi të përdorimit të dhunës. Do të bëjmë përpjekje që me dialog të gjejmë zgjidhjen, të zhbllokojmë punën dhe të ecim përpara”, ka thënë Grabovci.

Gjendjen bllokuese në Kuvendin e Kosovës, analistët politik e kanë cilësuar si pasojë të mungesës së komunikimit ndërmjet qeverisë dhe opozitës dhe mospërfshirjes së opozitës në negociatat me Serbinë.

Po ashtu, sjelljet bllokuese të opozitës, nga një pjesë e analistëve, po shihen edhe si përpjekje për rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës në mënyrë që vendi të shkoj drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.  (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>