Do të rrezikojnë të nxirren jashtë nga Kuvendi i Kosovës edhe me Polici, nëse një gjë të tillë e kërkon kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, por, “Zajednicën” do ta kundërshtojnë me të gjitha forcat.
Do të mbajnë aktivitete të tilla si ajo e hedhjes me vezë në seancën e 22 shtatorit, do të protestojnë e demonstrojnë, e çka tjetër nuk do të bëjnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me ata të AAK-së dhe Nismës, vetëm për ta kundërshtuar “Zajednicën” dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Gatishmërinë e VV-së dhe dy partive tjera opozitare AAK-së dhe Nismës po e tregon ish – lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, politikani që deri tani nuk i shmanget idesë që në Kosovë nuk ka institucione që mund të thirren si të tilla dhe se Republikën e Kosovës më shumë vazhdojnë ta karakterizojnë mungesat sesa pranitë e aspekteve pozitive e progresive, rastet e fundit po e shtyjnë që të kundërshtojnë edhe më fuqishëm tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet e Brukselit.
Mosfunksionimin e institucioneve Kurti e mbështet edhe tek raporti i “Transparency International” që sipas tij nxjerr Kosovën si shtet gjysmë autoritar. Ndërsa me kapjen që i është bërë shtetit nga dyshja Mustafa-Thaçi dhe mos transparencës nga këta të dy, po e shtyjnë Kurtin bashkë me kolegët e tij që të marrin veprime si ato të 22 shtatorit në seancën e Kuvendit.
Një mos transparencë e tillë nga Mustafa është vetëm trashëgimi e paraardhësit të tij Hashim Thaçit, i cili sipas Kurtit ia dorëzoi stafetën Mustafës për t’i bërë punët në shpejtësi. Të shpejtuar po e quan edhe nënshkrimin e fundit për krijimin e “Zajednicës”.
Kjo nguti e Mustafës, sipas Kurtit, e la Kosovën edhe pa formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Në anën tjetër thotë se Kosovës nuk i duhen Forcat e Armatosura të Kosovës, kur veç se është nënshkruar marrëveshja për krijimin e “Zajednicës”.
Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka thënë se shumë shpejt do ta dërgojë në Kuvend edhe ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës, në kohën kur Kurti dhe bashkëpartiakët e tij po synojnë ta bllokojnë funksionimin e Kuvendit.
Edhe pse këtë ligj Vetëvendosja e ka pritur që moti, në ditët e ardhshme nuk do ta ketë parasysh një gjë të tillë.
Kurti, thotë për KosovaPress, se janë të vendosur që ta bllokojnë Kuvendin pa marrë parasysh se aty do të mund të vijë ligji për krijimin e FAK-ut.
Ai nuk tregon për formën e veprimeve të ardhshme që do të ndërmarrë bashkë me kolegët e tij të opozitës për ta bllokuar Kuvendin. Megjithatë, tregon se është i vendosur për bllokim edhe nëse kryetari i Kuvendit do t’i përdorë kompetencat e tij.
Kryetari mund të kërkojë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve policorë.
Albin Kurti me këtë rast ka një porosi për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.
“Le ta bëjë ai një gjë të tillë dhe do t’i sheh edhe veprimet tona”, thotë Kurti për KosovaPress.
Kurti me grupin opozitar kanë nisur nënshkrimin e një peticioni për këtë punë. Atë e kanë nënshkruar më shumë se 100 mijë qytetarë. Dyshimet bien se sa do të jenë të gatshëm që një numër i tillë t’iu bashkohet opozitës edhe në veprimet e tyre të ardhshme.
Protestat dhe demonstratat janë forma tjetër pos peticionit që do të përdor opozita. Për ta, sipas Kurtit, është e rëndësishme që të përdorin gjithçka legjitime vetëm që të ndalin “Zajednicën”.
“Zajednica” është kuptimi i fusnotës thotë tutje Kurti, ‘ ajo fjollë e borës që u krijua nga Edita Tahiri tashmë është bërë dordolec’.
Pos anulimit të “Zajednicës”, për Kurtin dhe VV-në nuk janë të rëndësishme as rezultatet zgjedhore.
Madje, siç thotë ai, Kosova do të duket edhe më e dinjitetshme para syve të Bashkimit Evropian. /KosovaPress/