Seancë me fishkëllimat e opozitës dhe gaz lotsjellës

kuvendi gaz lotsjellesKuvendi i Kosovës më në fund arriti të mbajë një seancë, ndonëse nën tensione dhe fishkëllima nga deputetët opozitarë.

Në sallë u hodh edhe gazi lotsjellës nga ana e partisë politike në opozitë, Lëvizjes Vetëvendosje

“Gazi lotësjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët tanë gjatë protestave të janarit, kundër Jabllanoviqit [ish ministrit në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq]. Kjo ishte një nga qindra bombolat e gazit që janë hedhur mbi ne, por që nuk ka shpërthyer në ato protesta. Sot deputetët e përdorën atë bombolë”, thuhet në një postim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në pamundësi që seanca të udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës,Kadri Veseli, seanca është drejtuar nga nënkryetari i këtij institucioni, Xhavit Haliti, i cili është ulur tek tabori i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, prej nga ka udhëhequr punimet.

Nga foltorja e Kuvendit nuk pati kushte që të udhëhiqet seanca, meqë foltorja ishte e bllokuar nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Dhe ndërkohë që ligje të caktuara viheshin për votim, opozitarët fishkëllenin e në dy-tri raste, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe disa të tjerë nga parti politike në opozitë, i kanë hedhur ujë fytyrës së zotit Haliti teksa po e udhëhiqte seancën.

Bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës është një masë që tashmë opozita po e zbaton në kundërshtim të marrëveshjes që qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjithashtu, po kundërshtohet marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Opozita e cilëson si marrëveshje që çon drejt ndarjes së Kosovës.

Zhbllokimin e punës së Kuvendit, opozita po e ndërlidh me tërheqjen e nënshkrimeve nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa prej këtyre marrëveshjeve.

Sipas marrëveshjes, serbët në Kosovë do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>